Ditën kur Ambasada amerikane mblodhi përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të martën, në Prishtinë dhjetëra qytetarë kanë protestuar kundër themelimit të këtij mekanizmi. Ata marshuan deri te Qeveria, së cilës i kërkuan të mos ndërmarrë veprime për Asociacionin
Një grup qytetarësh protestuan të martën në sheshet kryesore në Prishtinë, kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Disa nga ta shprehën drojën se Asociacioni do të përbënte një “Republikë Srpska” brenda Kosovës dhe kritikuan ish-përfaqësuesit shtetërorë për nënshkrimin e marrëveshjeve rreth mekanizmit ombrellë për komunat me shumicë serbe.
“Heronjtë që kanë dhënë gjak për këtë tokë të Kosovës. Nuk lejojmë Kosova të ndahet. Marri iu qoftë Hashimit edhe Isës, që kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin, për ndarjen e Kosovës. Nuk lejojmë, nuk lejojmë”, ka deklaruar Shukri Retkoceri, qytetar.
Një nga protestuesit tha se Asociacioni do ta defunkisonalizonte Kosovën dhe paralajmëroi protesta të tjera, nëse ndërmerren veprime për themelimin e tij.
“Ne të gjithë këtu jemi kundër kësaj dhe nëse kjo votohet, ne do të vazhdojmë me protestat e radhës dhe do të jemi kundër deri pafundësisht që kjo të mos votohet dhe besoj që nga çdo qytetar, edhe ata që s’janë këtu brenda nesh, janë kundër Asociacionit”, u shpreh ai.
Dashmir Uruqi, një tjetër pjesëmarrës në protestë, kritikoi planin franko-gjerman, i cili kërkon nga palët përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.
“Kundër Zajednicës serbe, e cila prek interesa madhore të Kosovës e të kombit shqiptar. Ne jemi këtu sepse jemi të bindur se propozimi franko-gjerman urtë e butë po e çon ujin në mullirin e Serbisë”, ka thënë Uruqi.
Protesta u organizua në ditën kur Ambasada amerikane mblodhi përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Vetëvendosja që tash qeveris me vendin, vazhdimisht ka shprehur qëndrimin kundër Asociacionit. Gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, kundërshtimin e ka shprehur me aksione brenda institucioneve, e me protesta në rrugë.