Në ditën kur ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë është protestuar ku u kërkua nga Gjykata Speciale gjykim i drejtë. Qytetarë të shumtë që u tubuan nga vende të ndryshme të Evropës, kanë thënë se nuk e dinë ndonjë rast tjetër që çlirimtarët të gjykohen për krime lufte, pasi ata kanë luftuar për lirinë e vet. Ata kanë kërkuar lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së
Për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së një ditë pas marshit në Prishtinë, në qytetin e Hagës aty ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale, janë mbledhur rreth dy mijë qytetarë nga vende të ndryshme të Evropës.
Ata kanë thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe se krerët e saj po gjykohen padrejtësisht.
Historiani Fatmir Beka, i cili ka ardhur nga Friburgu i Zvicrës në protestë, ka thënë se Evropa po vazhdon t’i bëjë padrejtësi Kosovës.
Padrejtësinë e shqiptarëve, sipas tij, e tregojnë edhe rrobat e tij që janë simbol i rajonit të Çamërisë.
“Protesta e sotme është një shprehje revolte dhe padrejtësie që na është bërë. Studioj historinë që 40 vjet nuk di që ka pasë një gjyq për çlirimtaret. Ky është turpi i Evropës edhe ne jemi Evropë, por Evropa na ka turpëruar por e ka turpëruar me shumë veten se ne”, tha historiani Beka.
Protesta të ngjashme sikurse kjo në Hagë është kërkuar të mbahen edhe në të gjitha vendet e Evropës, nga Shahin Dervishaj, i cili në protestë ka ardhur me bashkëshorten nga Gjermania.
“Kjo është simbolike me ju tregu se ky gjyq ka qene i planifikuar si politik, nuk po dënohen krerët e UCK-se por e gjithë UCK-ja, per këtë arsyeje duhet me pas protesta masive në të gjithë Evropën, me ju tregu se kjo çka po behet është shume e pa drejt”, tha Shahin Dervishaj.
“Besojmë bindshëm në pafajësinë e tyre janë te pa fajshëm dhe pres lirimin e tyre sa ma shpejt”, tha Florie Dervishaj.
Qytetarët që janë solidarizuar më ish-krerët e UÇK-së në emër të familjeve të tyre i ka falënderuar vajza e Jakup Krasniqit, Gresa.
Ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.
“Në emër të familjareve që tash e dy vjet po përballen me padrejtësi në Gjykatën Speciale dua të shpreh mirënjohje dhe falënderimet e mija për të gjithë ju që dje mbushet sheshet e Prishtinës dhe sot jeni këtu bashkë me ne në Hagë duke ja dëshmuar edhe një here botës se lufta UCK-së ishte rruga e vet me drejt lirisë”, tha Gresa Krasniqi.
Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, ka thënë se nuk janë të gatshëm të pranojnë padrejtësinë vetëm se dikush dëshiron ta kthejë Serbinë në viktimë e shqiptarët që luftuan për çlirim, në kriminelë.
E ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka thënë se protesta e sotme tregon unitet që është mbi partitë politike e mbështetje për luftën e UÇK-së.
“Nuk jam i gatshëm të pranoj padrejtësinë vetëm pse Serbinë dikush ka dëshira ta kthejë në viktimë e shqiptarët që luftuan për t’u çliruar e shpëtuar prej saj, të kthehen në kriminelë. A ndihesh vërtet e plotësuar duke akuzuar çlirimtarët për krime për të bërë Serbinë viktimë? A i beson vetë këto që po bën? A vërtetë mendon Evropa që progresi dhe zhvillimi arrihen duke dëmtuar çlirimtarët?” – tha Lame.
“Jemi mbledhur këtu që të japim mbështetjen e përkrahjen nga Kosova dhe gjithë diaspora, mbështetje për UÇK-në për autoritetet e luftës. Sot është një gjykim historik për vendin tonë dhe për luftën tonë, aty gjenden ish-krerët e UÇK-së”, tha Hasani.
Protesta ka përfunduar më këngë patriotike dhe thirrje për UÇK-në, dhe të mbledhurit nuk janë lejuar që në mënyrë të organizuar t’i afrohen selisë së gjykatës.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm në nisje të gjykimit ndaj tyre.
Procesi gjyqësor ndaj tyre do të vazhdojë në dy ditët e ardhshme me deklaratat e mbrojtës për të vazhduar më 11 prill, atëherë kur pritet të nisë dëgjimi i dëshmitarëve.