LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj 27 të dyshuarve për kontrabandimin e 700 migrantëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për 27 persona, nën dyshimin se kanë kontrabanduar mbi 700 emigrantë, kryesisht nga Siria. Ish-drejtori i Drejtorisë së Emigracionit në Polici, Rrahman Sylejmani, thotë se sigurimi i provave një numër kaq të madh emigrantësh kërkon hetime të gjata. E Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ai i kualifikoi veç si shtete transitore për depërtimin e migrantëve në vendet evropiane

Aktakuzë ndaj 27 personave ka ngritur Prokuroria Speciale lidhur me kontrabandimin e më shumë se 700 migrantëve.

Ata dyshohen se kanë kontrabanduar kryesisht migrantë nga Siria, që fillimisht janë bartur nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas në drejtim të Serbisë.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër njëzet e shtatë (27) të pandehurve është ngritur për shkak se të njëjtit në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim në mes vete janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të ‘kontrabandimit të migrantëve’, kryesisht shtetasve sirianë, ku u është mundësuar më shumë se shtatëqind (700) personave kalimi nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Kosovës dhe kalimi i tyre në Republikën e Serbisë, e që qëllim kishin shkuarjen në vendet evropiane”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Rrahman Sylejmani, ish-drejtor i Drejtorisë së migracionit në Polici, thekson se sigurimi i provave për një numër kaq të madh të migrantëve ka kërkuar punë të madhe, shkaku që ata rëndom nuk janë bashkëpunues me Policinë. Por thotë se gjëja të cilën e pranojnë është se nuk i kanë destinacione vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Po të gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Serbia, edhe Maqedonia, edhe Shqipëria, edhe Greqia me fjalë tjera të gjitha këto janë shtete transite. Nuk janë destinacioni i migrantëve shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ata e deklarojnë qysh edhe gjatë bisedave që u bëhet nga ana e Policisë”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani thotë se emigrantët e përdorin shtetin e Serbisë si një prej rrugëve të hyrjes në vendet e zonës Schengen.

“Këta qëndrojnë këtu një ditë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, po kantrabanduesit gjatë periudhës që ata qëndrojnë në Kosovë, ata mbajnë kontakt me ta prej momentit kur hyjnë këtu dhe pastaj i organizojnë, i riorganizojnë dhe i çojnë në drejtim që të gjithë pothuajse 99 për qind shkojnë në drejtim të Serbisë, sepse Serbinë e kanë si një shtet në mes të Ballkanit Perëndimor dhe pastaj e trasojnë rrugën dhe hyjnë në zonën Schengen”, ka shtuar Sylejmani.

Pas zbardhjes së rastit të fundit, Sylejmani shprehu qëndrimin se mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar i vështirëson hetimin dhe sigurimin e provave edhe për rastet e tjera që lidhen me kontrabandimin e njerëzve.