LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria mbledh informata për mbledhjen ku u zgjodh kryetari i ri i KPM-së

Vendimi, i cili i parapriu ndryshimit të Rregullores së Punës, e për rrjedhojë edhe zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit të Pavarur të Mediave u prit me shumë kritika. Dyshimet se procedura është përcjellë me shkelje ligjore ka aktivizuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ia ka konfirmuar KOHËS se janë duke mbledhur informata nëse anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë kryer vepër penale të premten kur ndryshuan Rregulloren e Punës të KPM-së për ta mundësuar zgjedhjen e kryetarit të ri, Besnik Berisha, pa i skaduar mandati kryetarit paraprak.

“Jemi në fazën e shqyrtimit, sepse ne e kemi një prokuror i cili merret me informatat publike që dalin dhe prokurori i njëjtë, që është i caktuar prej kryeprokurorit, prej meje në fakt, ai merret, e shqyrton informatën nëse ka elemente të veprës penale apo jo. Njëkohësisht jemi duke e vlerësuar nëse është në kompetencën tonë apo në kompetencën e Prokurorisë Speciale... Vetëm jemi në fazën e mbledhjes së informatave dhe vlerësimit të tyre në aspektin ligjor. Nuk kemi hetim të filluar dhe të shqyrtimit të informatave të cilat kanë dalë në publik”, tha kryeprokurori Gashi. 

Shoqata e Mediave Transmetuese, AMPEK, ka ngritur dyshime lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së, duke thënë se ajo ngre shqetësime madhore si për nga transparenca, ashtu edhe për nga ligjshmëria. 

“Ndryshimi i rregullores së Komisionit të Pavarur për Media (KPM) me një procedurë të përshpejtuar dhe pa paralajmërim paraprak ngre shqetësime të mëdha për transparencën dhe legalitetin e procesit. Ky veprim, që shënon një devijim nga praktikat e zakonshme dhe të njohura, i hap rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së pa respektuar procedurat standarde, duke krijuar dyshime mbi motivet dhe integritetin e këtij procesi”, ka thënë Ardita Zejnullahu, drejtoreshë e AMPEK të premten. 

Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur të Mediave të premten u ndryshua Rregullorja e Punës, duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri. 

Në nenin e shtuar thuhet se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të KPM-së mund të bëhet “brenda një muaji para skadimit të mandatit të kryetarit përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM-ja nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht pa nënkryetar në rastet kur mund të mbetet pa kuorum”. 

Pas shtimit të këtij neni u zgjodh kryetari i ri i KPM-së, Besnik Berisha, tri ditë para skadimit të mandatit të kryetarit Jeton Mehmeti. 

Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave parasheh që kryetari dhe nënkryetari i KPM-së zgjidhen në mbledhjen e parë. 

“Në mbledhjen e parë anëtarët e KPM-së me shumicë të thjeshtë votash zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së”, shkruhet në pikën 11 të nenit 15 të këtij ligji. 

E krahas dyshimeve për shkelje procedurale, pas zgjedhjes së kryetarit të ri, në shoqërinë civile paralajmëruan se do të merren me këtë çështje në aspektin ligjor. 

Përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi me rastin e ndryshimit të rregullores kanë hedh dyshime se në këtë rast anëtarët e KPM-së kanë rënë ndesh me ligjin. Ehat Miftaraj, drejtor i këtij institucioni, tha se Prokurori i Shtetit e edhe Agjencia Kundër Korrupsionit duhet ta sqarojnë se a ka konflikt interesi në këtë rast. 

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit thanë se janë në dijeni që prokuroria ka hapur rast, porse vetë agjencia nuk ka hapur rast lidhur me mbarëvajtjen dhe vendimet e marra në mbledhjen e fundit të KPM-së. 

E në administratën e KPM-së thanë se zgjedhja e kryetarit të ri është plotësisht në përputhje me ligjin, derisa edhe për ndryshimet në rregullore e kanë marrë idenë prej Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.