LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria kërkon ashpërsim të dënimit në rastin “53-milionëshi”, mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarve

Ankesat në rastin e njohur si “53-milionëshi” janë dëgjuar të hënën në Gjykatën e Apelit. Prokuroria e Apelit ka kërkuar që dënimi për katër të pandehurit të rritet, derisa mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar që aktgjykimi i themelores të prishet dhe që të pandehurit të lirohen prej akuzave.

Argumentet e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin e “53-milionëshit” u dëgjuan në Gjykatën e Apelit të hënën.

Avokatët e të akuzuarve, si dhe vetë i akuzuari, Eset Berisha, i paraqitën ankesat e tyre mbi të gjitha bazat ligjore, derisa argumentuan mungesën e lidhjes mes veprimeve të të akuzuarve e kryerjes së veprës penale.

Ata, po ashtu, u ankuan për shkelje procedurale e konstatim të gabuar të  gjendjes faktike nga shkalla e parë.

Për arsye të tilla ata kërkuan lirimin e të pandehurve nga akuzat.

“Nuk është administruar asnjë provë, asnjë provë e vetme që do ta bënte një lidhje kauzale në mes të veprimet e Pal Lekajt dhe interesat e tij nga përfitimi i personit të tretë. A u administrua ndonjë provë se ato mjete janë ndarë mes Bechtel dhe e Pal Lekajt? Jo. A është administruar ndonjë provë që Pal Lekaj më pas e ka punësuar ndonjë të afërm në kompaninë Bechtel? Jo”, tha avokati i Pal Lekajt, Artan Qerkini.

“Dëshmitarët po thonë që nuk mund të ketë kontratë e vazhdim të kontratës pa u caktuar kostoja. Po si ta përcaktojnë koston, kur ka rang më të lartë sesa këta të cilët e përcaktojnë edhe çmimin edhe vlerën edhe çdo gjë. Krejt çka ka bërë Nebih Shatri ka qenë vazhdimi i kontratës sepse kanë ngelur, kanë ngecur punët. Pa u vazhduar kontrata s’kanë pasur se si të vazhdohen punët”, tha avokati i Nebih Shatrit, Florent Latifaj.

“Gjykata konstaton se raporti i kompanisë “Hill International” është pranuar nga unë dhe se ai është fshehur në bashkëkryerje me z. Lekaj ndaj anëtarëve të komitetit drejtues. Me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar në shqyrtim gjyqësor se ai raport është dorëzuar, pra përmes arkivit në Ministrinë e Infrastrukturës”, tha i akuzuari Eset Berisha.

“Çfarë kalkulimi kemi në (ekspertizën financiare). Nuk ka pasur një kalkulim. Lexojeni ekspertizën, nuk ka asnjë kalkulim. Eksperti financiar është ai që bën matematikë e kalkulim, sa qenka dashur të jepen. S’ka asnjë kalkulim. Thotë vetëm sa ka thënë Hilli”, tha avokati i Besim Tahirit, Urim Vokshi.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e marsit të këtij viti dënoi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me tre vjet e tetë muaj burgim dhe me tre vjet e gjashtë muaj ndalim ushtrim funksioni në administratën shtetërore.

E me ndalim ushtrimi të funksionit për periudha të ndryshme, si dhe me burgim, Themelorja dënoi edhe ish-sekretarin e Ministrisë, Nebih Shatri, me një vit e tetë muaj burgim, drejtorin e Prokurimit, Besim Tahiri, me një vit e tetë muaj burgim, ndërsa ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, u dënua me tre vjet e tre muaj.

Në përmbledhjen e gjyqtarit referues, Burim Ademi, u bë e ditur se Prokuroria ka kërkuar që të pandehurve t’iu ashpërsohet dënimi.

Kjo, meqë, sipas Prokurorisë së Apelit, trupi gjykues i Themelores iuka dhënë peshë të tepruar elementeve shfajësuese.

Sipas aktgjykimit të Themelores, të pandehurit i kanë bërë presion Avdi Kamerollit në mënyrë që ai të mos e marrë parasysh opinionin e “Hill International”, që pati vlerësuar se “Bechtel&Encas” duhej t’i paguheshin 17 milionë euro, e jo 53 milionë.