Prokurori Afrim Shefkiu ka autorizuar Policinë që ta intervistojë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Sipas autorizimit, Haxhiu duhet që të sqarohet në lidhje me postimin e saj në Facebook, të cilin ajo e ka shkruar në përvjetorin e vdekjes së Deharit dhe në të cilin ka theksuar se provat ekzistojnë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është ftuar që të intervistohet nga prokurori Afrim Shefkiu për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Astrit Dehari.
Katër ditë më parë, Haxhiu pati shkruar në një postim në rrjetin social Facebook se provat ekzistojnë, porse i mbetet vullnetit të Policisë dhe të Prokurorisë që rasti të zbardhet.
Prokurori i rastit “Dehari” ka autorizuar policët hetues, Hamit Reçica dhe Ali Berisha, që ta intervistojnë Haxhiun në cilësinë e dëshmitares.
“E njëjta (Albulena Haxhiu) të sqarohet se cilat janë ato prova për të cilat ajo pretendon dhe nëse po, kush janë kryerësit e veprës penale sipas saj. Po ashtu, jeni të autorizuar që të ndërmerrni edhe veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në vendosjen e drejtë të kësaj çështjeje penalo – juridike”, thuhet në autorizim.
Haxhiu në një postim tjetër të enjten ka shkruar se prokurori Shefkiu dhe eprori i tij nuk mund ta heshtin kërkesën për drejtësi.
“Është një gjë e thjeshtë që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marr përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefkiu e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’u treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit”, ka shkruar Haxhiu.
Astrit Dehari është gjetur i vdekur shtatë vjet më parë në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se ka kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit, bashkë me disa aktivistë të tjerë të LVV-së.
Teksa nga Prokuroria atëkohë patën thënë se bëhet djalë për vetëvrasje, familja Dehari në vazhdimësi ka insistuar se ai është vrarë.
Avni Dehari, babai i ish-aktivistit, në emisionin “Konfront” të KTV-së të mërkurën ka thënë se për shtatë vjet është duke u manipuluar me rastin e djalit të tij.
Për moszgjidhjen e rastit ai i ka kritikuar Sylë Hoxhën, prokurorin e parë të rastit, si dhe atë aktual, Afrim Shefkiu.
“Këta prokurorë, për hesap timin, ose janë fund e krye injorantë e nuk dinë ta nxjerrin macen nga përsheshi, ose janë të lidhur, të kapur aq fort me vrasësit dhe urdhërdhënësit saqë nuk guxojnë ta nxjerrin asnjë hap sa i përket anës së tyre profesionale. Janë të lidhur peng”, ka thënë Avni Dehari.
Në dhjetorin e vitit të shkuar është raportuar zyrtarisht se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për këtë rast janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët më pas janë kthyer në punë.