LAJMET E MBRËMJES

Prokurori: Nga vjedhja e votave përfituan edhe Avdullah Hoti e Kujtim Shala

Nga falsifikimi i 71 votave – për çka Prokuroria Speciale i mban përgjegjës ish-deputetin e LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balajn – kanë përfituar edhe Avdullah Hoti e Kujtim Shala, ka thënë prokurori i rastit. Gashi e Balaj akuzohen se keqpërdorën të drejtën e votës gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021

Në rastin gjyqësor ku për vjedhje votash në zgjedhjet parlamentare të 2021-tës i akuzuar është ish-deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Shkumbin Gashi, prokurori special, Ilir Morina, tha se nga ky keqpërdorim, pos të akuzuarit, përfituan edhe deputetët e tanishëm Avdullah Hoti e Kujtim Shala.

Prokurori Morina i shprehu këto pretendime gjatë administrimit të provave materiale në seancën e së enjtes, ku i akuzuar është edhe Sylë Balaj.

“Hetimet zbuluan se në keqpërdorimin e së drejtës së votimit kanë përfituar edhe kandidatë të tjerë, përveç të pandehurit Shkumbin Gashi. Në mesin e kandidatëve që kanë përfituar nga ky proces joligjor ishte Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Violeta Osaj, Besa Gaxherri dhe i pandehuri Shkumbin Gashi”, ka thënë prokurori Morina.

Sipas prokurorit special, ndonëse këta zyrtarë të LDK-së përfituan nga ky keqpërdorim, ndaj tyre nuk pati prova për inicim të procedurave penale, për shkak se nuk kanë lidhje apo kontakte me të akuzuarit.

Në këtë rast, fillimisht ishin tetë të akuzuar, por pesë prej tyre e pranuan fajësinë, kurse njërit i është veçuar procedura.

I akuzuari Balaj, sipas aktakuzës, në bashkëkryerje ndihmoi për keqpërdorimin e 71 fletëvotimeve në dobi të të akuzuarit tjetër Gashi, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ishte kandidat i LDK-së për deputet.

Prokurori administroi si prova video-incizime e fotografi që, sipas tij, dëshmojnë fajësinë e dy të akuzuarve.

Mirëpo vërtetësinë e këtyre provave e ka kontestuar Xhafer Tahiri, ish-deputet i LDK-së e tani avokat i Balajt në këtë gjykim.

“Në shkresa të lëndës nuk kemi asnjë ekspertizë që tregon kohën kur është bërë kjo. Prokuroria nuk është eksperte e fotografisë, nuk ka ekspertizë sa i përket autenticitetit se a është autentike, e manipuluar apo e gjeneruar”, ka thënë avokati Tahiri.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimit të 71 bashkatdhetarëve në Austri, ku pa pëlqimin e tyre aplikuan në Komisionin Qendror Zgjedhor, duke i shkarkuar fletëvotimet dhe duke i plotësuar ato. Më pas, sipas aktakuzës, fletvotimet i kanë nisur për në Austri, që ato të kthehen sërish në Kosovë si vota të diasporës.

Gashi e Balaj akuzohen për dy vepra penale: “Keqpërdorim i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhje e identitetit dhe pajisje e qasjes”.

Ata të enjten u mbrojtën në heshtje.

Në seancën e radhës do të jepet fjala përfundimtare.