LAJMET E MBRËMJES

Profesori i quan komplimente komentet për të cilat u denoncua nga 27 studente

Në seancën e hapur dëgjimore, por ku nuk u lejua incizimi nga mediat, profesori Xhevat Krasniqi i ka mohuar akuzat ndaj tij. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka përdorur shprehje për të cilat studentet e akuzojnë. Gjatë mohimit të akuzave këto shprehje i vlerësoi si komplimente për studentet. Pas seancës protestuesit ia bllokuan daljen nga Rektorati për rreth dy orë

Me përcjellje të policisë e me thirrje për përjashtimin e tij nga Universiteti i Prishtinës, profesori Xhevat Krasniqi, i denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual, është larguar të hënën nga salla ku u mbajt seanca dëgjimore për rastin e tij.

Studentë dhe aktivistë ia bllokuan për dy orë daljen profesorit të denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual, si dhe anëtarëve të Këshillit të Etikës, të cilët janë duke trajtuar rastin. 

Profesori për të dytën herë dëshmoi para anëtarëve të Këshillit. 

Në seancën e hapur dëgjimore, por ku nuk u lejua incizimi nga mediat, Krasniqi i ka mohuar akuzat ndaj tij. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka përdorur shprehje për të cilat studentet e akuzojnë. 

Gjatë mohimit të akuzave këto shprehje i vlerësoi si komplimente për studentet. 

“Të gjitha shprehjet komplimentuese janë shpifje”, ka thënë ai.

Në dëshminë afro 2-orëshe, Krasniqi ka thënë po ashtu se studentet kanë kopjuar në provime, duke i shënuar përgjigjet më këmbë. 

“Krejt këmbët i shkruajnë gjatë verës për të kopjuar e unë nuk flas për këtë. Shkoj e i këqyri e më thonë ‘pse po më këqyr’. Unë i pyes çka ki aty dhe jo çka ki nën fustan”, ka thënë ai.

Për këtë deklaratë profesori nuk u pyet më shumë nga anëtarët e Këshillit. Në përfundim të seancës ai u përball me njërën nga denoncueset e tij.

“Ngacmimi seksual është vepër penale, ti m’ke thënë mua ‘t’bojë masazh edhe pikë’”, iu drejtua njëra nga studentet Krasnuqit. “Ti neve na ke shkaktuar trauma dhe stres”, vazhdoi ajo. 

Në këtë ballafaqim Krasniqi nuk foli asnjë fjalë. Edhe 2 orë sa qëndroi në sallë pasi dalja iu bllokua nga protestuesit, Krasniqi nuk foli as para mediave. 

Të bllokuar mbetën për dy orë edhe katër anëtarët e Këshillit të Etikës, Izet Morina, Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezart Galica. Kërkesës së protestuesve për marrjen e një vendimi gjatë ditës ata nuk iu përgjigjën, për çka kërkuan dorëheqjen e tyre. 

Edhe anëtarët e Këshillit arritën të dilnin vetëm pas ndërhyrjes së policisë. 

Që nga raportimi i KOHËS për denoncimin e 27 studenteve për ngacmim seksual, Lëvizja Feministe Studentore ka mbajtur protesta para Rektoratit. Kjo është hera e katërt që Policia ka ndërhyrë për t’iu mundësuar anëtarëve të Këshillit të dilnin nga Rektorati.