Anëtarët e Komisionit për të Drejta të Njeriut kanë pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott. Gjatë këtij takimi ai i ka pyetur deputetët se si mendojnë që do të zgjidhet çështja e Projektkodit Civil, i cili në mars të këtij viti dështoi të miratohej në Kuvend. Abbott ka theksuar se Britania e mbështet komunitetin LGBTI+, por kundër dokumentit që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë janë deklaruar deputetet Duda Balje dhe Labinotë Demi-Murtezi
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka mirëpritur përcaktimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut që prioritet t’i jep trajtimit të dhunës në familje.
Por në takimin me anëtarët e këtij komisioni ka kërkuar që të diskutojnë pak edhe për Projektkodin Civil.
Derisa ka treguar qëndrimin e Britanisë, sa i përket këtij dokumenti, ai i ka pyetur deputetët se si mendojnë që do të zgjidhet kjo çështje.
“Pozicioni i Britanisë është i qartë, mbështesim komunitetin LGBTI. Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit. Të gjithë duhet ta kenë mundësinë që të krijojnë familjet e tyre dhe të hyjnë në martesë. Kjo është ajo çfarë ne mendojmë, dhe ne jemi në Kosovë që të kujdesemi rreth kësaj dhe është e drejta jonë ta bëjmë ketë”, ka thënë ai.
Por skeptike sa i përket këtij kodi janë shprehur kryetarja e Komisionit, deputetja Duda Balje, dhe deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi - Murtezi.
“Duhet ta kuptoni ju dhe të gjithë deputetët, brenda dhe jashtë. Ne kemi traditën tonë, kulturën tonë dhe mendoj që ndoshta nuk jemi ende të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë. Unë isha kundër Kodit Civil dhe tash e kam të njëjtin qëndrim. Është ligji shumë i rëndësishëm, është përmbajtjesor. Unë nuk jam ende e gatshme, unë jam duke folur në emrin tim personal, jo të komisionit, nuk jam e gatshme për këtë liri, për këto gjëra të cilat unë nuk i kuptoj apo nuk i mbështes”, ka thënë Balje.
“Është i nevojshëm një sqarim çka nënkupton bashkësia e regjistruar civile. Kur bëhet fjalë për familjen jam shumë e rezervuar, sepse kemi parë se nëse kjo quhet familje, atëherë shkon drejt adoptimit të fëmijëve, e këtu i kam rezervat e mia. Jo pse duhet të jemi linçues. Ndihem keq për çdo ofendim që marrin personat e komunitetit të tillë. Kur bëhet fjalë vetëm për regjistrim dhe të drejta elementare nuk është diçka që ne tentojmë ta censurojmë”, ka shtuar Demi-Murtezi.
Por mendim ndryshe nga koleget e saj ka deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu.
“Pasi kërkojmë të bëhemi pjesë e botës demokratike ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për grupet e veçanta. Cili është trajtimi që u ofrojmë këtyre grupeve. Isha shumë e zëshme për gratë me mbulesë që të kenë të drejtë të jenë të lira të shkojnë në shkollë, ashtu mendoj që duhet të jenë edhe grupet e tjera. Nuk dëshirojmë që asnjë grup të ndihet i margjinalizuar apo të lihet anash”, ka thënë ajo.
Në mars të këtij viti Projektkodi Civil dështoi të miratohej në Kuvend, pasi nuk mori përkrahje as nga disa deputetë të pushtetit. Arsyeja e mospërkrahjes ishte se me këtë dokument lejohet bashkësia civile mes personave të seksit të njëjtë.
Aktualisht Projektkodi është në rishikim në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë proces Ministria ka bërë të ditur se me theks të veçantë po rishikohet neni që rregullon martesën.