LAJMET E MBRËMJES

Presidentja Osmani takon policët në veri. Sveçla: Sfidat e vitit 2024 nuk na kanë ndalur

Vitin 2024 presidentja Vjosa Osmani e ka përmbyllur me një vizitë në Mitrovicë të Veriut. Takoi policët që shërbejnë në këtë pjesë të Kosovës e vizitoi një nga familjet shqiptare në Kroin e Vitakut.

Në ditën e fundit të vitit, presidentja Vjosa Osmani ia mësyu Mitrovicës së Veriut.

E shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Osmani vizitoi policët në veri e për ca minuta qëndroi edhe në sheshin matanë Urës së Ibrit.

“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdo ditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka net festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’u dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.

Osmanit e Sveçlës në ndërkohë iu bashkua edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë vizitës te njëra nga familjet shqiptare në Kroin e Vitakut.

Sipas ministrit Sveçla, puna e zyrtarëve policorë garanton mbrojtje e siguri për Kosovën.

“Sukseset e Republikës sonë u takojnë atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim dhe vendit tonë.  Në sheshin e Mitrovicës së Veriut takuam fëmijë që me ngazëllim presin ndërrimin e motmotit. Puna jonë e përditshme dhe e pandalshme u dedikohet atyre dhe të ardhmes së tyre, të sigurt e prosperuese në vendin tonë. Pas këtyre vizitave, festën ia uruam edhe Ramadan Behramit në Kroin e Vitakut, i cili përkundër sfidave e kërcënimeve të vazhdueshme, nuk hoqi dorë nga prona e tij dhe në kuadër të mbështetjes së Qeverisë sonë, do ta festojë Vitin e ri në shtëpinë e tij të re.  Sfidat e vitit 2024 nuk na kanë ndalur dhe na kanë forcuar, në vitin 2025 uroj të gëzojmë suksese të përbashkëta, për Republikën tonë”, tha Sveçla.

E ministri i Pushtetit Lokal tha se për banorët e komunave veriore kanë ndërtuar rreth 150 shtëpi duke u ofruar atyre banim të sigurt e të qëndrueshëm.