Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se pret “provokime” në Kosovë.
Në një konferencë për media ku ishte prezent edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, ai ka shpalosur pretendime se Kosova do të përpiqet ta hapë urën me forcë.
“Po ashtu më duhet t’jua tregoj faktin se në Kosovë presim provokime të mëtejshme. Më 14 apo 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës. Në të njëjtën kohë, agjenturat e huaja do të përpiqen t’i imponojnë disa liderë të rinj serbë, të cilët do t'i mbështesin, t’i portretizojnë si trima përderisa nuk janë, do të mundohen t’i ndajnë nga Beogradi e të thonë që Beogradi s’është i interesuar, e të thonë dhe pastaj të bien dakord me Kurtin se si e në ç’mënyrë të bëhen shërbëtorë të tij, kur në fakt punojnë për interesa të huaja. E po ju them për herën e 1000-të se kjo nuk do të ecë”.
Në konferencën e cila u thirr si reagim ndaj protestave më të mëdha në të gjithë Serbinë lidhur me marrëveshjen BE-Serbi për nxjerrjen e litiumit, presidenti Vuçiq i bëri thirrje KFOR-it që të insistojë për të mos e hapur urën.
“Por, vetëm i bëj thirrje KFOR-it që të reagojë dhe të mos lejojë hapjen e urës në mënyrë të njëanshme pikërisht ashtu siç kanë thënë deri më tani, sepse ne kemi respekt për KFOR-in dhe besojmë se duhet të bëjë punën e vet”.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, ka thënë se përpjekjet e Vuçiqit për të paraqitur insinuata të paqena, nuk duhet të merren seriozisht.
Aktualisht në afërsi të urës po zhvillohen edhe punime meqë janë fshirë grafitet që përmbanin gjuhë të urrejtjes e simbole serbe dhe disa nga sipërfaqet janë mbuluar me ngjyrë.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përmbahet prej veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të cilat mund ta vënë sigurinë e Kosovës.
Kundër hapjes së urës janë deklaruar ambasadorët e vendeve të QUINT-it e të Bashkimit Evropian.
Thirrje për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme ka pasur edhe nga administrata e Shtëpisë së Bardhë dhe nga presidenti i Francës, Emannuel Macron.
E KFOR-i në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar konkretisht lidhur me testimet teknike për qëndrueshmërinë e urës ka deklaruar se është e gatshme ta përdorë forcën në përputhje me mandatin e saj në rast se rrezikohet siguria.