LAJMET E MBRËMJES

Policia zbulon arsenal armësh në Zveçan, organizata terroriste kërcënon me jetë ministrin Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është kërcënuar me jetë në ditën kur policia zbuloi një bazë armatimi në Zveçan me shumë armë, fishekë, granata dore e eksplozivë. Kërcënimi iu la si koment në postimin e tij nga profili me emrin “Brigada e veriut”, që së fundi është shpallur organizatë terroriste

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, është kërcënuar me jetë në ditën kur ka njoftuar për zbulimin e një baze armatimi në Zveçan.

Kërcënimi i është bërë nga profili i organizatës “Brigada e veriut”, e shpallur së fundi terroriste nga autoritetet e vendit.

“Unë personalisht ta jap dënimin, pritet veç momenti”, thuhet në kërcënimin.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, ky profil përmes të cilit është kërcënuar ministri është vërtet i organizatës terroriste “Brigada e veriut”.

E gjatë operacionit të kryer të martën në Zveçan, sipas ministrit Sveçla, është gjetur numër i konsiderueshëm i armëve. Sipas tij, në vendin e ngjarjes ishin edhe përfaqësuesit e KFOR-it.

“Ditën e sotme Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla ka shtuar se veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit dhe se rendi e ligji nuk do të cenohen në asnjë cep të vendit.

Javë më parë policia ka ndaluar edhe një veturë me targa të Serbisë të mbushur plot me armatim.

Bashkë me “Brigadën e Veriut”, edhe “Mbrojtja Civile” që, po ashtu, vepron në veri, është shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës.