Policia e Kosovës ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit për t’u futur brenda një fabrike në afërsi të Zubin-Potokut. Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, AKP-ja i ka njoftuar se kanë pronë aty dhe se kanë shkuar për të evidentuar disa pajisje që janë aty. E një ditë më parë në veri janë ndaluar tri vetura me mallra kontrabandë
Pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit gjatë një kontrolli brenda një fabrike në Zubin-Potok. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se njësitet e veriut kanë asistuar në atë vend.
Ai ka thënë se AKP-ja pretendon se ka një pronë aty dhe ka dashur që t'i verifikojë pajisjet që gjenden në të.
“Unë mund ta them se normaliteti është duke u kthyer, si u përket institucioneve apo agjencive të ndryshme të Republikës së Kosovës në veri. Ne sot kemi asistuar AKP-në, por ka pasur raste kur kemi asistuar ATK-në e Inspektoratin Komunal, Federatën e Peshkatarëve kur kanë kërkuar asistencën tonë në ‘Ujman’. Nuk është diçka e jashtëzakonshme”, ka theksuar Elshani.
Sipas tij, kjo është hera e dytë që kanë asistuar AKP-në në atë fabrikë.
“Ne kemi pranuar një kërkesë nga AKP-ja para disa ditëve dhe sot kemi ofruar asistencën tonë, do të thotë kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend. Sipas AKP-së ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar që të verifikojnë disa pajisje aty. Është hera e dytë që në kemi asistuar AKP-në në atë vend, sepse herën e parë ka qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar që të hapet me forcë, ajo është hapur duke u verifikuar nga ana e AKP-së”, ka theksuar Elshani.
KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga AKP-ja lidhur me këtë aksion, porse ata nuk janë përgjigjur gjatë të premtes. Një ditë më parë në veri të vendit Policia ka hasur në tri automjete me mallra të kontrabandë, me ç’rast ka arrestuar një person, ndërsa mallrat janë dërguar në doganë.
“Në tri raste të ndara janë hasur tri automjete në të cilat dyshohej se kishte mall kontrabandë. Në lidhje me rastin me urdhër të prokurorit një person është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, kurse mjetet bashkë me mallin kontrabandë janë dërguar në terminalin doganor për procedurë të mëtejme”, thuhet në raport.
Dy ditë më parë, Policia në bashkëpunim me organet e tjera të drejtësisë në komunën tjetër të banuar me serbë, në Zveçan kishte konfiskuar një sasi të armëve dhe mjeteve të tjera ushtarake.