LAJMET E MBRËMJES

Plenkoviq: Për bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë s’kemi nevojë ta pyesim Serbinë apo NATO-n

Kryeministri kroat ka theksuar se e kupton që “Serbia po kërkon të gjejë probleme aty ku nuk ka” teksa ka shtuar se marrëveshja mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është e drejtuar kundër askujt, por ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes tri vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe në fushën e reformave për integrimet euroatlantike. Ai ka shtuar se Kroacia nuk ka nevojë që për këtë çështje të pyesë askënd, as Serbinë dhe as Aleancën Veriatlantike të NATO-s

Në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel është diskutuar të enjten edhe për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilën vendet evropiane e kanë vlerësuar edhe si të brishtë. 

Kjo do të përfshihet edhe në konkluzionet e Samitit, të cilat do të miratohen pas përfundimit të tij, por vetëm me një fjali të shkurtër, në të cilën do të thuhet se “Këshilli Evropian diskutoi për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe thërret Këshillin që të merret me këtë çështje në takimin e prillit”.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se ai në këtë takim do ta paraqesë shqetësimin për situatën në rajon, sidomos për atë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi. Ai ka shtuar se do të rikujtojë kolegët që në kohën kur BE-ja po merret me shumë tema të tjera nëpër botë, nuk duhet që ta humbë vëmendjen nga situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Në debatin për Ballkanin Perëndimor pritet që të diskutohet edhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në rrugëtimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe në sigurinë e përgjithshme në rajon.

Kryeministri kroat Plenkoviq u është përgjigjur të enjten nga Brukseli edhe kritikave të cilat kanë buruar nga Serbia, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. 

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar të martën në Tiranë një deklaratë për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në atë që ka nxitur reagime nga Serbia.
Plenkoviq ka thënë se ai e kupton që “Serbia po kërkon të gjejë probleme aty ku nuk ka” teksa ka shtuar se marrëveshja mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është e drejtuar kundër askujt, por ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes tri vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe në fushën e reformave për integrimet euroatlantike. 

Kryeministri Plenkoviq ka theksuar se Kroacia nuk ka nevojë që për këtë çështje të pyesë askënd, as Serbinë dhe as Aleancën Veriatlantike të NATO-s. 

“Para se të flasin, do të ishte mirë që ta marrin mundin për pesë minuta dhe ta lexojnë atë marrëveshje. Ai memorandum është një memorandum për bashkëpunim. Aty nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj se tash duhet kërkuar probleme diku tjetër, por në këtë tekst nuk mund të gjejnë”, ka thënë Plenkoviq, duke folur para gazetarëve në Bruksel, ku është duke u zhvilluar samiti i BE-së.

Më herët edhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur Serbisë në reagim, duke thënë se “ka kaluar koha kur Zagrebi është dashur ta pyesë Beogradin se çfarë mund të bëjë e çfarë jo” dhe ka shtuar se “kjo kohë më nuk do të kthehet kurrë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën në Bruksel se Kroacia dhe Shqipëria me këtë memorandum kanë shkelur një marrëveshje subrajonale për kontrollin e armëve që është nënshkruar në vitin 1996. Tek ka folur pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ai është shprehur i sigurt se për këtë çështje këto vende nuk e kanë njoftuar as NATO-n.
Vuçiqi ka thënë se me këtë, Kroacia dhe Shqipëria kanë provokuar një garë armatimi në rajon.
“Është situatë e vështirë për ne, por e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe ne do ta ruajmë vendin tonë, do t'i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, ka thënë Vuçiq, tek ka shtuar se këtë çështje e ka ngritur në takim me Rutten, porse nuk ka treguar se çfarë ka thënë.

E Ministria e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) i ka kualifikuar kundërshtimet e Serbisë për nismën e bashkëpunimit të mbrojtjes si “shkelje të hapur të marrëveshjeve të Brukselit”, e cila, sipas MPJD-së, “parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera”.

“Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si ‘garantuese e paqes në Ballkan’ është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit”, është thënë në njoftimin e së mërkurës të MPJD-së.

Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal. Deklarata përfshin promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euroatlantik. Deklarata e lë të hapur mundësinë që asaj t’i bashkohen edhe vende të tjera.