LAJMET E MBRËMJES

Pesë nga 9 mbledhjet e parapara të Kryesisë në sesionin vjeshtor kanë dështuar

Edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paraparë për të martën, ka dështuar në mungesë të kuorumit. Kjo është mbledhja e 5-të që nga nisja e sesionit vjeshtor që dështon në këtë formë. Bazuar në kompetencat e tij, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka caktuar seancën e radhës për të enjten. Në rend dite në këtë seancë janë disa pika që kanë dështuar të votohen si pasojë e mungesës së kuorumit ose mospjesëmarrjes në votim të deputetëve të opozitës në seanca plenare të kaluara

Nga gjithsej nëntë mbledhje të parapara të Kryesisë që nga nisja e sesionit vjeshtor të Kuvendit, pesë kanë dështuar të mbahen në mungesë të kuorumit dhe seancat i ka caktuar kryetari Glauk Konjufca.

Kështu është vepruar edhe të martën. Këtë radhë ka munguar nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, ai nga komunitetet joshumicë, Bekim Arifi, si dhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Slavko Simiq.

Në seancën që Konjufca e ka caktuar për të enjten janë disa pika që nuk janë votuar si pasojë e mungesës së kuorumit ose mospjesëmarrjes në votim të deputetëve të opozitës në seancat e kaluara plenare.

“Sipas Rregullores së re të Kuvendit, pikat për të cilat nuk ka kuorum kur hidhen në votim me automatizëm kalojnë si pika të para në seancën e radhës së rregullt, të tilla në seancën e 27 tetorit do të jenë votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e veçanta të destabilizimit në treg, votimi në parim i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë”, ka thënë Kusari – Lila, pas caktimit të seancës nga Konjufca.

Mungesa e kuorumit është kritikuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Vetëm se ai e ka rritur për një numrin e mbledhjeve të dështuara, krahasuar me njoftimet për këto mbledhje që janë në faqen e Kuvendit.

“Realisht është hera e gjashtë që ne dalim në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë dhe nuk kemi çfarë të themi, pasi nuk ka kuorum dhe s’ka proces të vendimmarrjes. Kjo është plotësisht e papranueshme dhe po ashtu fatkeqësisht po bie në linjë edhe me vlerësimin që na ka dhënë Bashkimi Evropian”, ka theksuar Tahiri.

Mungesa e kuorumit në Kuvend ka qenë njëra nga vërejtjet që ka dhënë Komisioni Evropian në raportin për Kosovën. Në raport thuhet se edhe pushteti që ka një mazhorancë të fortë shpesh nuk ka arritur të sigurojë vendimmarrje.

“Puna e Kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësitë në arritjen e kuorumit vendimmarrës, edhe pse Qeveria mbështetet në një shumicë të fortë”, theksohet në raport.

Ndërsa, sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës, për 6 muajt e parë të këtij viti problemi kryesor në Kuvend ka qenë mungesa e kuorumit. 23 seanca të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për shkak të kuorumit në 6 muajt e parë të sesionit pranveror. Vetëm nga janari deri në qershor deputetët kanë munguar rreth 700 herë në seanca.

Ndërkohë që në deklaratën e tij pas caktimit të seancës, Tahiri i AAK-së e ka kritikuar Qeverinë për vonesa në procedimin e Projektligjit për paga.

“Ajo çka dua të theksoj, të cilën në diskutim edhe e ngrita, ka të bëjë me ligjet vitale që s’po vijnë në Kuvend, njëri ndër ta është edhe Ligji i Pagave, i cili po shtyhet me të vetmin qëllim që të mos hyjë në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë se Qeveria ka dështuar dhe ajo si duket do të hyjë në zbatim më 1 janar 2024”, është shprehur Tahiri.

Në rend dite në seancën e caktuar nga Konjufca është edhe votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”. Do të shqyrtohet edhe Propozim-rezoluta kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, e propozuar nga LDK-ja.

Në këtë seancë është paraparë të shqyrtohet në parim Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, si dhe ai për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe shqyrtimi i raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021.