LAJMET E MBRËMJES

Përurohen punimet në Onkologji, vlera e investimeve 600 mijë euro

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vita, kanë marrë pjesë të hënën në përurimin e rinovimit të Klinikës së Onkologjisë, që kushtoi 600 mijë euro. Kurti tha se është rritur edhe numri i shtretërve në klinikë dhe se lista e pritjes e pacientëve do të jetë zero

Rreth 600 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë rinovimi i Klinikës së Onkologjisë. 
Në përurimin e punimeve, të hënën, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë premtuar se numri i pacienteve në listën e pritjes do të jetë zero. 

“Me aksineratorin e ri të cilin e kemi instaluar lista e pritjes është zero, nuk ka pritje, i cili ka kushtuar 1.440 milionë euro. Procesi i dhënies së vaksinës HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar shumë mirë dhe në të njëjtën kohë lista e barnave esenciale është zgjeruar, për shkak se barnat janë të shtrenjta e buxheti është shtuar prej 8 milionë në 13 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, pas këtij rinovimi është rritur edhe numri i shtretërve në klinikë, nga 45 në 60. 
Shpeshherë pacientët në këtë klinikë presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi. Numri i shtretërve do të rritet në 110 në të ardhmen, sipas kryeministrit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shprehur besimin se nga tash pacientëve do t’u ofrohen shërbime shumë më cilësore. 

“Shumë i gëzuar që një klinikë kaq vitale dhe kaq e rëndësishme për një grup shumë të rëndësishëm të pacientëve, në Republikën tonë tash e tutje në këtë klinikë do të marrin shërbime shumë më cilësore me shumë e shumë barna, pa listë të pritjes në radioterapi, në kushte jashtëzakonisht të mira dhe dinjitoze”, ka thënë Vitia.

Gjatë procesit të punimeve në Klinikën e Onkologjisë pacientët me kancer kanë marrë trajtimin në Klinikën e Mjekësisë Sportive.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 u kontrolluan 30.000 persona në Onkologji, ndërsa janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.

Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.

Brenda 24 orëve aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.