LAJMET E MBRËMJES

Personat me aftësi të kufizuara “njoftojnë” kryeministrin me problemet e tyre

Handikos

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, që shënohet më 3 dhjetor, kjo kategori po vazhdon të përballet me probleme të ndryshme. Gjatë vizitës që kryeministri Albin Kurti ia bëri shoqatës ‘’Handikos’’ të hënën, ai u lavdërua me punën e Qeverisë, por edhe mori kritika

Florinda Abazi 
 

Eldin Gashi, 19 vjeç, në mungesë të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, thotë se është detyruar që arsimin e lartë ta ndjekë në një kolegj privat. 

Gjatë vizitës që kryeministri Albin Kurti ia bëri shoqatës “Hendikos’’ të hënën, Gashi ka thënë se infrastruktura nuk është sfida e vetme me të cilën përballen personat me aftësi të kufizuara.

“Sfidohemi çdo ditë me qasjen fizike, me kushtet, me bullizmin, me diskriminimin. E dimë që ne jemi cak e që pa dashje ose me dashje jemi përherë pjesë e bullizmit dhe diskriminimit”, ka thënë ai.

E, kryeministri Kurti është shprehur se është punuar shumë që jeta e personave me aftësi të kufizuara të jetë më e lehtë. 

Ndër të tjera, ka përmendur rritjen e pensioneve për kategoritë e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë për 20%, teksa për vitin 2023, ka thënë se janë mbështetur 3006 përfitues me buxhet prej mbi 11 milionë eurosh. Ka folur edhe për inicimin e ligjit për personat e shurdhër.

Pavarësisht përparimeve që i ka numëruar kryeministri, drejtori i “Hendikosit”, Afrim Maliqi, ka thënë se gjendja vazhdon të mbetet jo e mirë. Ka folur për problemet me rehabilitimin që ka kjo kategori, pastaj për qasjen sociale, arsimore e infrastrukturore.

Ai ka kërkuar edhe rritjen e numrit të kujdestarëve për këta persona.

“Unë i përmenda këto, sepse janë të domosdoshme dhe të nevojshme që të kemi një shoqëri gjithëpërfshirëse ku do të respektohet dhe do të ngrihet jo vetëm vetëdija, por edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara’’, ka thënë Maliqi.

Ky takim është mbajtur në prag të Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, që shënohet më 3 dhjetor.