Seanca e jashtëzakonshme, e cila ishte thirrur për të folur për gjendjen në arsim në Komunën e Podujevës ka përshkallëzuar kur një këshilltar i LDK-së e ka gjuajtur me ujë drejtorin e arsimit në këtë komunë. Kuvendarët e LDK-së e kanë akuzuar pushtetin e LVV-së se ka punësuar jashtëligjshëm familjarë e partiakë në arsim. Ndërkohë, drejtori për arsim u ka thënë atyre se nëse e gjejnë një familjar të tij të punësuar, është i gatshëm të japë dorëheqje
Ka përshkallëzuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Podujevës, e cila ishte thirrur për të folur për gjendjen në Arsim në këtë Komunë. Këshilltari nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Rrahmani, partia e të cilit e kishte thirrur këtë mbledhje, e ka gjuajtur me ujë drejtorin për arsim, Avni Fetahu, derisa ai po u përgjigjej kritikave të tyre. Pas këtij incidenti, nga salla kanë dalë këshilltarët e VV-së, PDK-së, një këshilltare e AAK-së dhe ai i OBKD-së, duke e çuar mbledhjen në pauzë 20-minutëshe.
E para se të ndodhte kjo, këshilltarët e LDK-së e kanë akuzuar pushtetin në Podujevë për punësimet në arsim, duke e krahasuar drejtorin Fetahu me Adem Grabovcin nga afera “Pronto”.
“Me keqardhje ju njoftoj që vetëm në vitin e parë të punës, me skandale, punësime familjare, punësime pa konkurs dhe punësime jomeritore, drejtori e ka tejkaluar ish-nënkryetarin”, ka thënë Softolli, duke aluduar në Nexhmi Rudarin që vjen nga e njëjta parti me të (LDK).
“Drejtori i Arsimit, në cilësinë e personit zyrtar, ka punësuar dhjetëra militantë, aktivistë dhe familjarë të afërm me pushtetin, duke i shpërblyer pa i respektuar procedurat e rekrutimit. Kjo shmangie, ky anashkalim i qëllimshëm i gjithë rregullativës ligjore, që e rregullon fushën e punësimit nga ana e drejtorit të arsimit, ta krijon përshtypjen se Komuna e Podujevës funksionon jashtë çdo rregullative ligjore që funksionon në Kosovë”, ka thënë Softolli.
Sipas tij, drejtori Fetahu ka kryer edhe vepër penale dhe se për këto shkelje të pretenduara, Softolli ka thënë se kanë bërë kallëzim në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe se i janë adresuar Agjencisë Antikorrupsion (AKK), Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZKA) dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Kritikë kanë qenë edhe këshilltari i OBKD-së, Gazmend Islami e ajo e AAK-së, Mrika Thaçi.
“Po jua jap fjalën, s’do të ketë gjykatë që s’do të kërkoj drejtësi. Pra, nuk do të shkojë çdoherë duke bërë shkelje”, është shprehur Gazmend Islami.
E Mrika Thaçi ka thënë se do të dëshironte që sot të flisnin për arritjet e sukseset në Arsim.
“Unë kisha dashur shumë që sot të bisedohet për të arriturat dhe sukseset në arsim dhe për çudi, kjo mbledhje e jashtëzakonshme sot po koincidon me grevën e përgjithshme në arsimin e Republikës së Kosovës”.
Në anën tjetër, këshilltarët e VV-së dhe drejtori për Arsim kanë folur për projektet, siç kanë thënë milionëshe, që i kanë investuar në këtë sektor prej vitit 2021, kur janë në pushtet.
“Ne e dimë se në çfarë gjendje e kemi gjetur arsimin dhe në çfarë gjendje është tani. Fillimisht, nuk mund të ketë arsim cilësor pa pasur investime në arsim, e që program i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Komunës kanë qenë investimet në arsim dhe atë duke filluar nga investimet në infrastrukturë, e deri te mjetet e konkretizimit për një arsim të avancuar nëpërmjet kabineteve dhe formave tjera bashkëkohore të mësimnxënies dhe mesimdhënies”, ka theksuar Adelina Stublla nga radhët e VV-së. “Disa nga investimet janë: Në shtatë shkolla me investim për efiçiencë me vlerë mbi 895.248,00 € për shkollat, shpërndarja nëpër shkolla e 112 titujve me 30 mijë ekzemplarë të lekturave shkollore (vlera e projekti 49,865.76 € ), 1 milion e 500 mijë € vetëm nga niveli komunal për këtë vit, 79.000 euro nga Banka Botërore, intervenimi në 31 shkolla për të vazhduar sivjet në renovime me një vlerë prej 440.000 € ku do të intervenohet në të gjitha shkollat”, ka bërë të ditur ajo.
Ndërkohë, këshilltari tjetër nga VV-ja, Florent Hasani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit e rrënimit të objektit të vjetër të shkollës, “Naim Frashëri”, që kshte ndodhur gjatë qeverisjes së LDK-së.
“Kërkojmë nga personat kompetentë që të fillojnë hulumtimin dhe të gjejnë përgjegjësit që e morën atë vendim makabër, vendim i cili mund të quhet edhe krim, krim që ka dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore, arsimore shqiptare në trevën e Llapit. Përgjegjësit e atij skandali që janë nga qeverisjet e kaluara duhet patjetër të japin llogari para drejtësisë”, ka thënë ai.
Edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bashkim Syla, ka thënë se nuk janë të kënaqur me gjendjen në arsim, por ka shtuar se ky pushtet ka investuar shumë në këtë sektor.
Ndërsa, drejtori Avni Fetahu e ka quajtur kritikën e LDK-së urrejtje patologjike ndaj tij. Ka cekur se informatat e LDK-së për punësimet janë “qëllimkëqija”, pasi sipas tij, kanë pasur ankesa minimale, krahasuar me vitet e kaluara.
“Sa u përket konkurseve, ju lutem më lejoni edhe kërkojmë mirëkuptimin për të gjithë ata që i dinë procedurat, por po më detyroni me ua treguar, duke filluar nga procedurat e konkursit dhe konfliktit të interesit. Fillimisht ju tregova edhe isha shumë i hapur që asnjë anëtar i familjes sime të ngushtë apo të gjerë, gjejeni diku, po ju lë afat edhe një muaj ditë, analizoni e hulumtoni krejt, Avni Fetahu vjen këtu edhe jep dorëheqje”, ka theksuar drejtori për arsim në Podujevë.
Pas incidentit dhe pauzës, kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, dy herë e kishte ndërprerë mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, por seancën e ka vazhduar pasi ishin siguruar numrat e nevojshëm. Vetë këshilltari Rrahmani, ka kërkuar falje për gjestin e tij, por ka thënë se kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë, ka gjuajtur edhe gaz lotsjellës. I njëjti gjatë seancës kishte penguar edhe fjalimin e këshilltares Stublla dhe drejtorit Fetahu, duke e ndezur mikrofonin e tij, për të krijuar foni.
E kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka quajtur akt të shëmtuar veprimin e këshilltarit Rrahmani.
“Një akt i shëmtuar ka ndodhur sot në Kuvendin Komunal në Podujevë, kur asamblisti i LDK-së Ekrem Rrahmani ka sulmuar me ujë drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu, i cili ishte duke prezantuar sukseset e qeverisjes komunale në arsim. Këshilltari në fjalë, në mungesë të argumenteve, ka zgjedhur si mjet arrogancën dhe primtivizmin për t’ia ndërprerë fjalën drejtorit. Sjelljet e tilla, përveçse të pahijshme janë edhe të papranueshme. Andaj e dënoj ashpër një akt të tillë. Uroj që veprime të tilla të mos shihen më në Kuvendin Komunal”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.