LAJMET E MBRËMJES

Përplasje në distancë mes liderëve shtetërorë

Gati dy javë pasi Kosova e humbi shansin që çështja e anëtarësimit në Këshill të Evropës të përfshihet në agjendë, kryeparlamentari Glauk Konjufca e arsyetoi Qeverinë për mosinformimin e presidentes rreth letrës me zotimin për ta përgatitur një draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se mosinformimi me kohë u pamundësua shkaku që presidentja asokohe nuk ndodhej në Kosovë. E këtë deklaratë presidentja Vjosa Osmani e quajti qesharake

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka arsyetuar mosinformimin e Presidencës për zotimin e Qeverisë, dy javë më parë, për të përgatitur një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pak ditë para se Komiteti i Ministrave të vendoste nëse do ta përfshinte në agjendë kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE).

Për letrën që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ia përcolli këtij Këshilli, në Presidencë patën thënë se është bërë pa konsultim paraprak.

Kryeparlamentari Konjufca ka theksuar të mërkurën se mosinformimi me kohë i presidentes Vjosa Osmani ka qenë i paqëllimshëm dhe është pamundësuar, pasi ajo asokohe nuk ndodhej në Kosovë.

“Kam hamendësuar që ka mundur të ndodhte për shkak të vizitës që ajo e kishte në SHBA, për shkak të largësisë me siguri. Jo çdo hollësi, e cila ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe mund të koordinohet. Pra, unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëjë diçka të qëllimshme kundër presidentes, apo që të mbajë diçka të fshehur. Ka qenë thjesht teknikisht, ma merr mendja, një largësi e madhe atë ditë për të cilën po flasim, gjë që e ka pamundësuar”, ka thënë Konjufca.

Atij iu kundërpërgjigj menjëherë presidentja Vjosa Osmani, duke e quajtur deklaratën qesharake.

“Jemi në vitin 2024, ku telefonat funksionojnë shumë mirë, pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këta tre vjet e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit”, është kundërpërgjigjur presidentja Osmani. “Të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pasur të bëjë me largësinë, për mua është diçka që as nuk dua ta besoj që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyre po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj tek Presidenca, që për mua është vërtet edhe shumë qesharake, sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo dite të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme”.

Me përmbajtjen e letrës Osmani tha se ministrja Gërvalla e ka hedhur poshtë zotimin e tre liderëve shtetërorë të datës 23 mars për ta jetësuar Asociacionin pas anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“E ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtur deri atë ditë që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që Qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që, sipas Kushtetutës sonë, gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës”, ka thënë Osmani.

Në letrën e 16 majit drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Gërvalla bëri të ditur se Qeveria po e përgatit një draftstatut të Asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Aty u theksua se ekzekutivi ka nisur me hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin.

Pavarësisht zotimit për draftstatutin, Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të Këshillit Ministrial të Këshill të Evropës. Pas kësaj Gërvalla tha se më nuk vlejnë as zotimet për Asociacionin, që ajo i shprehu në letër.