LAJMET E MBRËMJES

Përfundon një tjetër “Vidovdan” me provokime nacionaliste të serbëve

Si çdo vit më 28 qershor, qindra qytetarë serbë zbarkuan në Obiliq për të shënuar Vidovdanin, një festë religjioze serbe.

Dhjetëra qytetarë kanë mbërritur me autobusë edhe nga Serbia dhe Mali i Zi.

Një nga një, të gjithë pjesëmarrësit u kontrolluan nga Policia, me të arritur te porta. Ata që bartnin fanella me mesazhe nacionaliste, ose u detyruan të ktheheshin, ose t’i zhvishnin e të hynin pa to.

Në ceremonisë, patriarku serb, Porfirije mbajti liturgjinë kryesore.

“Kështu princi i shenjtë Lazari doli në fushën e Kosovës me ushtrinë e tij për të sakrifikuar veten për atë që jemi sot, populli serb, populli që kremton Krishtin Shpëtimtar, populli që kremton atë besim, atë kryqin e nderuar dhe lirinë e artë për të cilën luftoi princi Lazar dhe ushtria e tij”, tha Porfirije.

Pavarësisht kontrolleve të policisë, parulla nacionaliste u shpalosën në kremte. “Nuk ka dorëzim”, është mbishkrimi mbi flamujt serbë e rusë që u valëvitën në skenën rreth monumentit.

Manifestimi u shoqërua edhe me këndim e thirrjen “Kosova është Serbi”.

Qytetarë e raportues serbë folën për ceremoninë e përvitshme.

“Kjo nuk është vetëm dita jonë, është edhe e shqiptarëve, e gjithë ballkanasve dhe dëshirojmë që të gjithë ta festojmë këtë ditë, jo vetëm ne (serbët), por të gjithë”.

“Dallimi është i vogël, zakonisht ndodhin gjëra të njëjta dhe jemi mësuar me to. A po ju mungon dikush? Na mungojnë shumë. Ka shumë që do të duhet të ishin këtu, por s’janë në Kosovë, janë jashtë”.

“Ky është viti i katërt që raportojmë prej Gazimestanit. Në parim, çdo vit janë të njëjtit akterë, të njëjtët njerëz, numri i të pranishmëve nuk dallon me të vitit të kaluar. Më e rëndësishmja prej të gjithave është që kjo ceremoni ka kaluar në qetësi dhe që nuk ka asnjë incident”, tha Nevenka Mediq nga mediumi Kossev.

Me të përfunduar festa, serbët në mënyrë të organizuar u larguan nga Gazimenstani. E Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë shënimit të Vidovdanit një person është arrestuar për nxitje të urrejtjes.