LAJMET E MBRËMJES

Përdorimi i thëngjillit, 11 mln euro në vit kostoja e efekteve anësore

Kanë kaluar dy muaj qëkur bazuar në premtimet e Qeverisë Kurti, Kosova do të duhej të kishte strategjinë për energjinë.

Në mungesë të saj, orientimi i Kosovës në këtë fushë mbetet i paqartë.

Ministria e Ekonomisë ka nisur hartimin e Strategjisë para një viti, por ka kritika që disa prej akterëve nuk janë konsultuar gjatë këtij procesi.

“Ne i kemi bërë intervistat në muajin prill dhe deri në atë kohë askush nga të intervistuarit nuk kanë qenë të konsultuar për strategjinë, nuk kanë qenë të ftuar as punëtorët e KEK-ut të përfaqësuar nga Sindikata, nuk kanë qenë të ftuar as përfaqësuesit shëndetësorë e as përfaqësuesit nga Komuna e Obiliqit”, tha drejtoresha e programit “Musine Kokolari”, Marigonë Drevinja.

Në prezantimin e raportit “A është thëngjilli zgjidhja më e lirë?”, të hartuar nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari”, Drevinja ka thënë se edhe kostoja e efekteve anësore të prodhimit të energjisë me thëngjill, duhet të përfshihet në të gjitha projeksionet dhe strategjitë për energjinë.

Sipas raportit, kjo kosto kap vlerën e rreth 11 milionë eurove në vit. Mospërfshirja e kësaj kostoje artificialisht e mban të ulët çmimin e energjisë.

“Një prej aspekteve që nuk merret parasysh në Republikën e Kosovës është shpenzimi që shkakton prodhimi i energjisë me thëngjill në terma shëndetësorë dhe dëmtimit të mjedisit, e cila nuk llogaritet në çmimin përfundimtar”, tha Visar Ymeri, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”.

Strategjia për energjinë pritet të vendosë caqet e burimeve të ripërtëritshme dhe të rrisë efiçiencën në industri dhe amvisëri.

Kosova vazhdon të jetë e varur nga prodhimi i energjisë prej qymyrit. Me gjithë shtimin e kapaciteteve, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është larg arritjes së caqeve të përcaktuara për të arritur shkallën prej 30 për qind të pjesëmarrjes deri në vitin 2030. Aktualisht energjia e ripërtëritshme mbulon vetëm 15 për qind të konsumit.