Dy personat e dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë kanë rezistuar me armë zjarri gjatë aksionit të policisë, pasi janë lokalizuar në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Gjatë aksionit, njëri nga grabitësit mbeti i vrarë, e një polic u plagos, por që është jashtë rrezikut për jetën.
Policia tregoi se vrasja ka ndodhur në vetëmbrojtje.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”.
Me ta, policia pati përballje të armatosur edhe më 22 nëntor, kur intervenoi gjatë grabitjes së një argjendarie në Suharekë. Gjatë aksionit një polic u plagos.
E të enjten më mëngjes, Njësitet Elitare të Policisë nisën aksionin e gjerë për këtë rast.
Gjatë ditës, katër persona u arrestuan.
“Katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, tha Policia.
KOHA ka mësuar se në mesin e tyre është edhe pronari i një argjendarie në Prishtinë, për të cilin dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin.
E, njëri nga pjesëtarët e grupit është në kërkim, meqë ka arritur të largohet, gjatë shkëmbimit me armë zjarri në lagjen “Arbëria”. KOHA ka mësuar se ai është vëllai i të vrarit.
Për rreth shtatë orë ekipe të mjekësisë ligjore dhe forenzikës qëndruan në vendin e ngjarjes, për të kryer hetimet.
Burime të KOHËS treguan se pjesëtarët e grupit që ka kryer grabitjen në Suharekë kanë të kaluar kriminale dhe dyshohen për përfshirje të veprave penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje, dhe vepra të tjera.