LAJMET E MBRËMJES

Për tërheqjen ose jo të kursimeve në Trust vendoset në seancën e 16 qershorit

Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën e radhës për të enjten e javës së ardhshme, në të cilën është paraparë të shqyrtohet edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, miratimi i të cilit do të lejonte tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale nga ana e qytetarëve. Nisma ligjore e opozitës nuk ka mbështetjen e ligjvënësve të partisë kryesore në pushtet

Nisma ligjore e cila parasheh mundësinë që qytetarët të mund t’i tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve në Trust, do të shqyrtohet në seancën plenare të radhës që do të organizohet të enjten e javës së ardhshme, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të hënën. Ndryshimet e Ligjit për Fondet Pensionale të sponsorizuara nga opozita, janë vënë në rend dite ani se Qeveria dhe deputetët e partisë kryesore në pushtet janë kundër saj.

Ligjvënësit e që përbëjnë shumicën në Kuvend nuk kanë ndërruar qëndrim.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se një tërheqje e tillë aktualisht do të ishte tepër e rrezikshme për sistemin financiar në Kosovë, por gjithashtu do të shkaktonte edhe pasoja të parikuperueshme për të ardhmen e vendit në raport me sistemin financiar.

“Përkundrejt se dëshirojmë të gjithë që të ketë të hyra për qytetarët e Republikës, marrja nga e ardhmja për të financuar të sotmen, apo për të mbuluar një deficit që është sot, nuk e bën zgjidhjen”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, një mundësi e tillë do të hapte një gropë të madhe në të ardhmen për gjeneratat e reja, barrë e të cilëve do të binin ata që pensionohen në moshën 65 vjeçe.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka paralajmëruar një nismë tjetër ligjore. ai ka thënë se si grup parlamentar do të nisin hartimin e ligjit të pagave, nëse Qeveria edhe këtë javë nuk e sjell projektligjin në Kuvend.

“Ne do të presim edhe këtë javë a do të ketë një veprim nga qeveria. Që jo, atëherë grupi ynë parlamentar do të nisë nismën për ligjin e pagave, për shkak se ne jemi tashmë në muajin qershor. Realisht, viti shkoi. Atë që e kemi thënë vjet, atë që e kemi thënë në fillim të vitit që kjo qeveri as nuk e ka në plan, as nuk do të nisë me këtë nismë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka folur edhe për nismën legjislative për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale. Sipas tij, nëpërmjet ndryshimeve të hiqet kriteri që përfitues të pensionit kontributdhënës të jenë vetëm ata që kanë së paku 15 vjet përvojë të pashkëputur pune para luftës. Tahiri ka bërë të ditur se nisma ligjore është përcjellë në Qeveri, institucion që duhet ta japë opinionin për të.

Për seancën javës që vjen, në rend dite është përfshirë edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pyjet; si dhe emërimi i kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit.