Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar ekspertizë urgjente sa i përket rrëzimit të kulmit të objektit të komunës. Ai ka thënë se është i hapur për hetime nga prokuroria. E Prokuroria e Shtetit që ka ndaluar dy persona lidhur me rastin, ka njoftuar se ka angazhuar një ekspert gjyqësor nga lëmi i ndërtimtarisë lidhur me këtë çështje.
Paraditen e së hënës, kryetari Përparim Rama me ekspertët e angazhuar dolën në konferencë për media dhe sqaruan shkaqet për dëmtimin e pullazit të komunës që për pasojë, është në gjendje të rëndë një 23-vjeçare.
Pak orë pas, Prokuroria Themelore e Prishtinës arrestoi dy të dyshuar për këtë rast.
Prokuroria pohon se njëri nga të ndaluarit është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend-punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B.
Ndonëse Rama dhe ekspertët e angazhuar nga ai vetë ai, Prokuroria në Prishtinë për KOHËN nuk ka konfirmuar që u kanë dhënë një leje të tillë.
Përkundrazi, kanë deklaruar që komunës nuk mund t’i ndalohen veprime që evitojnë rrezikun, por se ekspertizën do ta bëjnë vetë.
Për këtë çështje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se është i hapur për hetime.
Rama tha se ka kërkuar ekspertizë urgjente sa i përket rrëzimit të kulmit të objektit të komunës.
“Ne jemi të hapur për çfarëdo ekspertize që të ndodhë. Unë e përmenda edhe në fillim që rasti ka qenë super urgjent. E dini kohën, koha ka qenë me reshje shiu, me reshje bore. Nën këtë kulm ka instalime të rrymës elektrike. Nëse ne nuk kishim marrë intervenime të menjëhershme, do të kishte mundur të kallet e gjithë ndërtesa. Për këtë arsye kemi qenë tërë kohën në kontakt me policinë dhe kemi pyetur ‘a mundemi me vazhdu”, ka theksuar Rama.
Rama në konferencë për media shtoi se ka ftuar ekspertë të fushës për vlerësim dhe ekspertizë urgjente.
Të dy ekspertët, Visar Geci e Gëzim Kastrati, thanë se kulmi nuk është ndërtuar në bazë të standardeve.
“Komplet kulmi ka rënë, sepse baza apo struktura në të cilën është ndërtuar kulmi nuk është në bazë të standardeve.... Ky është kulmi, e ka bërë strehën për shkak që kur të bie shi mos të rrjedhë në fasadë. Këtu ka qenë problemi, këtu ka hyrë fryma edhe komplet e ka çuar kulmin lart... Edhe materiali si material që është përdorur nuk është i përpunuar tamam, nuk është i lyer, nuk është i trajtuar. Ne po dyshojmë mos është mbetje të ndërtimtarisë sa ka qenë duke u ndërtuar i gjithë objekti, çka ka tepruar prej asaj e kanë përdorur aty”, ka theksuar Geci.
Ndërsa drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, u shpreh se ndërtesa ka qenë e mbyllur për tri ditë, për shkak të sigurisë.