LAJMET E MBRËMJES

Për 4 vjet, mbi 300 raste të dhunimeve seksuale

Albulena Haxhiu - protokol - rastet e dhunes

Ministria e Drejtësisë ka lansuar Protokollin Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, i cili parasheh standardizimin e veprimeve të nevojshme për reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri për mbrojtjen, identifikimin, fuqizimin dhe riintegrimin e viktimave. Gjatë këtij prezantimi, është bërë e ditur se nga 2019-a, më shumë se 300 raste të dhunimeve seksuale janë raportuar. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë papërgjegjësi të tilla, ku institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim, e kriminelët nuk e marrin dënimin meritor

Në 4 vjetët e fundit në Kosovë janë shënuar mbi 300 raste të dhunimeve seksuale, e sipas kryeministrit Albin Kurti dhunuesit e abuzuesit në shumë raste nuk kanë marrë dënimet e merituara.

Kurti, të hënën, në lansimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, ka thënë se jo rrallëherë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet, në mungesë të mekanizmave të mirëfilltë, të cilët përcaktojnë fushëveprimet ku adresohen lëndët përkatëse.

“Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Shpeshherë në rastet e paraqitura, institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E, po ashtu, në raste të këtilla, dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka thënë kryeministri Kurti.

Protokolli parasheh standardizimin e veprimeve të nevojshme për reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri për mbrojtjen, identifikimin, fuqizimin dhe riintegrimin e viktimave.

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të dhënat e viteve të fundit në Kosovë tregojnë për rritje të rasteve të dhunës seksuale.

“311 raste të ekzaminuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore vetëm për periudhën 2019-2021. Të dhënat gjithashtu tregojnë një numër të konsiderueshëm të fëmijëve, vajza e djem të kësaj forme të dhunës, krahasuar me numrin e të rriturve. Ndërsa në numrat e rritur janë gratë ato që me përqindje më të lartë lajmërojnë një incident të dhunës seksuale, krahasuar me burrat”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ndërkaq, Lars Gunnar Wigemark, shef i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-it, ka thënë se rreth 85 për qind e rasteve të dhunës seksuale të raportuara ishin gra nën moshën 18-vjeçare. Por, ai thotë se meshkujt hezitojnë t’i raportojnë rastet e këtilla.

“Ka edhe burra e djem të cilët kanë qenë pjesë e kësaj dhune seksuale apo viktimë, mirëpo nuk janë raportuar për shkak të stigmatizmit. Meshkujt më pak duan që të raportojnë dhe sidomos komuniteti LGBTI hezitojnë të raportojnë dhunën seksuale. Dhe, për shembull, grupet e ndryshme të cenueshme, djem e vajza të reja, është vështirë për ta që të raportojnë, ose persona që kanë probleme shëndetësore e mendore, që e kanë të vështirë të klasifikojnë se çfarë ka ndodhur me ta”, ka thënë ai. “228 raste janë klasifikuar si dhunim për këto vjet. Një numër i vogël i këtyre rasteve ka arritur deri në seanca gjyqësore dhe kanë marrë një vendim gjyqësor”.

Protokolli Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale u lansua në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Vetëm në dy javët e fundit në Kosovë dy gra dyshohet se janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.