Në 26-vjetorin e masakrës së Pastasellës, qytetarë të shumtë, liderë shtetërorë e institucionalë përkujtuan vrasjen e 106 civilëve shqiptarë nga forcat serbe. Nga aty ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi drejtësi e presidentja Vjosa Osmani shprehu përkushtim për vënie të drejtësisë. Megjithatë, tash e 26 vjet nga institucionet vendore nuk ka asnjë të akuzuar a të dënuar për këtë masakër
Në masakrën e para 26 vjetësh në Pastasellë të Rahovecit, ku u vranë 106 meshkuj shqiptarë nga forcat serbe, qytetarë të shumtë e liderë shtetërorë e institucionalë bënë homazhe te varrezat në këtë fshat.
Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur te varrezat e fshatit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se masakra si ajo e Pastasellës është dëshmi e një strategjie gjenocidale të planifikuar nga Serbia.
“Ajo që e bën këtë masakër ndër më të tmerrshmet në Kosovë janë brutaliteti dhe metodat çnjerëzore të përdorura nga forcat serbe. Ata torturuan shqiptarët, i ndanë në grupe, vranë fëmijët para prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe më pas i ekzekutuan të rriturit. Kjo ishte një strategji e qartë për të shkaktuar terror dhe shfarosje për t’i torturuar në mënyrë çnjerëzore civilët, ashtu që plagët e luftës të mos fshiheshin asnjëherë”, ka thënë Haxhiu.
Në 26-vjetorin e kësaj masakre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook tha se do të kërkohet drejtësi për viktimat.
“Një çerekshekulli më parë forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 1999, në Pastasellë të Rahovecit 106 burra, gra dhe fëmijë, u vranë e u masakruan brutalisht. E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë. Por, kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi”, është shprehur Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend që, siç ka thënë, nuk ka bërë asgjë për këto krime.
“Këto data përkujtimore janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake u përpoq të shfaroste popullsinë shqiptare vendase në Kosovë. Këto masakra kanë dëshmitarë e dëshmi, të cilat do të duhej kthyer në dosje provash për aktakuza e dënime për krime lufte, nga prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, që janë shumë pasivë krahasuar me kushtet e përmirësuara, pagat e larta dhe dyfishimin e hetuesve që kemi bërë. Dëshmitë e të gjitha krimeve të luftës së fundit, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, po mblidhen nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi”, ka theksuar Kurti.
E kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se masakra në Pastasellë ka përmasa gjenocidale.
“Kjo ishte një masakër e dhimbshme për të gjallët dhe mesazh për ndërkombëtarët se krimi në Pastaellë ka vërtet përmasa të gjenocidit. Plagët e Kosovës edhe pas 26 vjetësh ende kullojnë gjak”, ka deklaruar Latifi.
Më 31 mars të vitit 1999, forcat serbe u futën në fshatin Pastasellë në të cilin të strehuar ishin edhe banorë të fshatrave të tjera.
Nga aty gratë i përzunë për Shqipëri e burrat i pushkatuan afër një përroi në fshat.
Kësaj masakre i kishin shpëtuar 13 persona, 12 nga ta kanë vdekur pas lutës.
Deri tash nuk ka asnjë të dënuar nga institucionet e Kosovës për këtë masakër, madje nuk ka nisur asnjë gjykim lidhur me këto ngjarje.