LAJMET E MBRËMJES

Peci vendos për largimin e bizneseve nga një pronë që thotë se i takon Institutit Bujqësor

Nëpërmjet një vendimi ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka vendosur që një numër biznesesh të largohen nga një objekt në “Ulpianë” që, sipas ministrit, i takon Institutit Bujqësor. Aty e ka selinë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. E, pronari i biznesit, që pretendon se hapësira është e familjes së tij, ka qenë asamblist i AAK-së në Prishtinë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se u ka dhënë bizneseve në një hapësirë në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet 7 ditë kohë për t’u larguar. Në një video që e ka publikuar në Facebook, ai ka thënë se bizneset janë vendosur aty në formë korruptive dhe se prona i takon Institutit Bujqësor.

Për këtë ai e ka fajësuar drejtorin e Institutit ashtu edhe prokurorinë për mosndërmarrje të veprimeve.

“Përkundër pritjes sonë gati njëvjeçare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Protagonisti kryesor, drejtori aktual i Institutit, bën sfilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës, në ‘Ulpianë’ qëndron si ‘luan’ objekti i korrupsionit edhe i zhvatjes së tij”, ka thënë Peci.

Akuzat i ka mohuar Fehmi Geci, drejtori i Institutit Bujqësor.

“Ai është ministër. Ai i ka vendimet tij. Vetëm një gjë e di që këtë lëndë e përfaqëson Avokatura e Shtetit. Është në proces gjyqësor dhe nuk kam çfarë të them më shumë. Hetimet janë nisur mbi bazën e një komisioni ministror në vitin 2018”, ka thënë Geci.

Ka reaguar edhe pronari i restorantit “Infinit”, që operon në këtë pronë, Yll Bogaj. Ai ka thënë se familja e tij është pronare e ligjshme e pronës që i është dhënë me qira “Albi Marketit” dhe “Coca-Colas”.

“Objekti të cilin e kemi në pronësi është objekt banesor i blerë në mënyrë legjitime e legale nga personat fizikë, përmes kontratave të lidhura pranë organeve kompetente e jo nga Instituti i Bujqësisë”, ka deklaruar Bogaj.

Bogaj është ish-asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. E, në të njëjtën ndërtesë e ka selinë edhe kjo parti. Në bazë të kontratës së qirasë që AAK-ja e ka me Institutin Bujqësor e të cilën e ka siguruar KOHA më herët, ajo ishte valide deri në marsin e sivjetmë.

Ministri Peci në videoadresim nuk e ka përmendur fare AAK-në, kur u është referuar subjekteve që duhet ta lëshojnë godinën.

Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së, ka thënë se nuk është pranuar ndonjë vendim për lirim të objektit, meqë partia vazhdon t’ia paguajë qiranë Ministrisë së Bujqësisë.