LAJMET E MBRËMJES

Peci: 16.593 bujq kanë qenë përfitues të granteve në fushën e bujqësisë

16 mijë fermerë kanë qenë përfitues të granteve në fushën e bujqësisë, në programin që kap vlerën e 24.5 milionë eurove, ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Në një konferencë për media, ai ka thënë se procesimi i subvencioneve është bërë në javën e tretë të gushtit, ndërsa për të gjithë bujqit që do të deponojnë sasi të grurit te mullinjtë, çmimi do të jetë tre centë për çdo kilogram.

Gjithsej 16.593 bujq kanë përfituar grante në fushën e bujqësisë, në kuadër të një programi 24.5 milionë eurosh, ka thënë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ai në një konferencë shtypi ka bërë, po ashtu, të ditur se nisja e procesimit të subvencioneve është bërë në javën e tretë të gushtit.

“Kam potencuar që java e tretë e gushtit do të jetë javë e fillimit të procesimit të mjeteve në kategorinë e subvencioneve. Ne tashmë kemi filluar dhe për një periudhë dyjavore ne kemi arritur që të distribuojmë gjithsej shifrën monetare prej 24.5 milionë eurosh për bujqit e Republikës së Kosovës, të cilët kanë aplikuar në programin e pagesave direkte për vitin 2022. Në kuadër të kësaj vlen të theksohet se gjithsej përfitues deri në këtë fazë janë 16.593 aplikues”, ka thënë ministri Peci.

Ndërsa me synim përpikërinë në procesin e distribuimit të mjeteve, Peci ka thënë se do të realizohet pagesë edhe për të gjithë bujqit që do të deponojnë sasi të grurit te mullinjtë.

Çmimi do të jetë tre centë për secilin kilogram.

Ministri ka pasur edhe një thirrje për shoqërinë civile.

“Në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe në këtë rast Civikosin, ne kemi bërë një shpallje publike të hapur për të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, njohës të fushave të cilët dëshirojnë të japin kontribut dhe ne i ftojmë edhe përmes kësaj konference, e kemi edhe ftesën, thirrjen e hapur që të jenë pjesë e procesit të monitorimit”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga të gjithë kultivuesit e grurit që t’i deponojnë dëshmitë e tyre te drejtoritë komunale.