Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se mosha mesatare e Policisë së Kosovës aktualisht është 47 vjeç dhe referuar këtij fakti, sipas saj, duhet bërë i mundur pensionimi i parakohshëm i tyre. Pensionimin e parakohshëm e ka parë të nevojshëm edhe ish-drejtori i Policisë dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj. Sipas tij, shkaqet shëndetësore së bashku me moshën, çojnë në moskryerjen e rregullt të detyrave
Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës. Grupi Parlamentar i PDK-së do të procedojë të premten në Kuvend projektligjin që rregullon këtë çështje, ka bërë të ditur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një konferencë për media.
“Ky ligj përcakton njohjen e së drejtës në pension për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, familjarët e tyre, si dhe kriteret dhe të drejtën për pensionim. Ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore për familjarët e tyre”, ka theksuar Musliu.
Deputetja e PDK-së, ka arsyetuar këtë nismë, duke thënë se mosha mesatare e Policisë së Kosovës aktualisht është 47 vjeç dhe se pensionimi i parakohshëm është i nevojshëm.
“Tani zyrtarët e Policisë arrijnë moshën mesatare 47 vjeç, andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor në mënyrë që edhe të veprohet sa më shpejt që është e mundur nga Kuvendi, duke e marrë parasysh pikërisht shqetësimet që adresohen përmes këtij projektligji”, ka thënë ajo.
Musliu nuk ka dhënë detajet e përmbajtjes së projektligjit. Ka thënë se ato do të bëhen të ditura më vonë.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë gjithashtu edhe deklaratën financiare. Ky ligj ka kosto buxhetore, por se gjatë hartimit besoj që do të keni mundësinë të merrni edhe deklaratën financiare dhe numrin e Policëve që mund të pensionohen para kohe dhe moshën e saktë të policëve të Kosovës. Tani kemi bërë të gjitha përgatitjet që ky ligj, ky projektligj të marrë udhë, duke pasur parasysh që është kërkesë e vazhdueshme e Policisë së Kosovës”, ka shtuar tutje ajo.
Procedimin e kësaj nisme ligjore në Kuvend e sheh të nevojshme edhe ish-drejtori i Policisë, tashmë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj. Ai ka thënë se për shkaqe shëndetësore të këtyre zyrtarëve, nevojitet ripërtëritja e tyre.
“Në radhët e Policisë së Kosovës ka shumë policë dhe police në moshë të shtyrë e të cilët kanë sëmundje të rënda dhe këto sëmundje të rënda ia pamundësojnë ofrimin e shërbimeve, kryerjen e punëve, angazhimeve që janë në Policinë e Kosovës dhe kur të kombinohet mosha dhe sëmundjet e rënda, atëherë për policët është thjesht e pamundur që ata t’i kryejnë detyrat e tyre, ashtu siç kërkohet me Ligjin mbi policinë dhe ashtu siç kërkohet me rregullore të brendshme të Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.
Musliu e Qalaj kanë thënë se presin që të kenë edhe përkrahjen e grupeve të tjera parlamentare në Kuvend.