Përparim Gruda, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, gjatë një konference për media ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për punësime të familjarëve në pozita të larta drejtuese dhe në borde të institucioneve publike
Me anën të Projektligjit për zyrtarë publikë, Qeveria është duke e synuar kapjen e administratës publike, kanë thënë të hënën zyrtarë të Partisë Demokratike (PDK).
Përparim Gruda, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, gjatë një konference për media ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për punësime të familjarëve në pozita të larta drejtuese dhe në borde të institucioneve publike.
“Qeveria aktuale, pasi ka kapur çdo institucion publik, duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundërkushtetuese në administratën publike. Kjo Qeveri, këto ditë ka prezantuar Projektligjin për zyrtarët publikë të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për ta politizuar administratën publike të shtetit dhe për ta kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar Gruda.
Ai ka theksuar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka për qëllim që, pas hyrjes në fuqi të Projektligji, t’ua ndërpresë kontratat e punës të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike.
“(Ka për qëllim...) të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita dhe këto pozita të jenë me mandat katërvjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita dhe mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do t’ju pushojë marrëdhënia e punës që kanë tani, për t’u zëvendësuar me militantë partiakë”, ka theksuar Gruda.
Shpallja e konkurseve për këto pozita, Gruda ka thënë se e bën kundërkushtetues Projektligjin për zyrtarët publikë.
“Ky synim i Qeverisë për t’i shkëputur kontratat e punës dhe për të shpallur konkurse për gjitha nivelet e administratës, në nivelin e ulët dhe të mesëm drejtues, është kundërkushtetues, shkel të drejtat e njeriut, shkel sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë si parime të mishëruara në rendin kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.
Në nenin 98 të Projektligjit, i cili flet për dispozitat kalimtare, parashihet hapja e konkursit për pozitat e nivelit të ultë dhe të mesme drejtues.
“Një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 97 të këtij ligji”, thuhet në paragrafin 2 të nenit.
Gruda i ka bërë thirrje Qeverisë që para miratimit të Projektligjit t’i largojë dispozitat, të cilat ai i ka kualifikuar si kundërkushtetuese. Ka kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që ta kundërshtojë nismën e Qeverisë.
“I bëjmë thirrje Zyrës së BE-së në Kosovë që ta kundërshtojë me gjithë forcën e saj këtë nismë të Qeverisë për ta shkatërruar administratën e shtetit. PDK-ja nuk do të lërë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj Qeverie për ta vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, ka thënë Gruda.
Konsultimet publike rreth Projektligjit për zyrtarë publikë janë mbyllur më 6 tetor dhe ai pritet që të dërgohet në Qeveri për miratim.