LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja akuzon LVV-në për fshehje provash që lidhen me rezervën shtetërore

Ligjvënës të partisë në pushtet dhe të subjekteve në opozitë kanë shkëmbyer akuza në mbledhjen e Komisionit Hetimor për rezervën shtetërore. Në të është shprehur edhe pretendimi se po fshihen provat që lidhen me skandalin

Deputetë të opozitës kanë akuzuar të enjten pushtetin për fshehjen e provave që kanë të bëjnë me procedurat e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore.

Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për çështjen e rezervës shtetërore, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili e drejton komisionin, ka akuzuar deputetin e Vetëvendosjes për ndërhyrje në punët e Ministrisë së Tregtisë.

“Kemi pranuar një e-mail nga deputeti i Vetëvendosjes, Halit Thaçi, i cili e-mail u është dërguar të gjithë anëtarëve të komisionit dhe që në CC i është dërguar edhe ministres Rozeta Hajdari dhe disa personave tjerë që kanë pozita, që konsideroj që është ndërhyrje në punët e ministrisë. Kishte me qenë në rregull që vërejtjet t’u dërgohen anëtarëve të komisionit, por jo Ministrisë. Unë këtë e konsideroj si një sinjal që t’i thuhet Ministrisë, mos i sjell dokumentet”, ka thënë Qalaj.

Deputetët shprehën brengën edhe për mungesë informacioni nga Prokuroria Speciale se deri ku mund të interferojnë deputetët gjatë hetimit që do ta realizojë komisioni.

Deputeti i Vetëvendosjes, Halit Thaçi, dhe ai i PDK-së, Ferat Shala, polemizuan rreth anësisë në proces.

“Ne mund të kërkojmë kontrata për blerjen e grurit për kohën e caktuar, por nëse duam vetëm një kontratë të një operatori, atëherë për mua është tendencioze. Deputeti Shala, pse nuk kërkove të gjitha kontratat për blerjen e vajit? A e kam të drejtën të them se ti po e fsheh dikë aty?”, ka thënë deputeti Thaçi.

Ky ligjvënës i LVV-së ka marrë kundërpërgjigje nga Shala i PDK-së.

“Unë kam shkruar për dilemat ku i kam pasë, dyshimet ku unë i kam pasë. I kam ngritë edhe në Kuvend me emër operatorët, secilin. Kjo qeveri dyshoj dhe tashmë është i bazuar dyshimi im që nuk e ka sjellë vajin. Shkruaj ti nëse di të tjerat”, ka thënë Shala.

Në Komision nuk munguan as akuzat drejtuar njëri-tjetrit.

“Edhe ne e kemi detyrë, por edhe të tjerët, kur po i mbroni ata të korruptuarit e tjerë që po flitet, Martin Berishaj, partia jote e ka mbrojtur, këtu po reagoni për pyetje, dokumentacione, edhe po më shitni moral mu. Absolutisht është e papranueshme... Punoni për ta zbardhur të vërtetën”, ka thënë Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete e LDK-së.

Asaj i ka reaguar Driton Hyseni, deputet i LVV-së.

“Nuk kam nevojë unë për të dhënë moral. Pate t’i pretendime ndaj neve dhe unë veç jam sqaruar”, ka thënë ai.

Komisioni hetimor i Kuvendit është krijuar për të hetuar çështjen e furnizimit me rezervën shtetërore, pas dyshimeve se mungon një pjesë e mallit të kontraktuar.