LAJMET E MBRËMJES

PDAK-ja kritikon Kurtin se emëroi zv.ministër një të dënuar për korrupsion

Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës po e kundërshton vendimin e kryeministrit Albin Kurti për emërimin e Agim Hysenit si zëvendësministër. Sipas PDAK-së, ai është i dënuar për korrupsion. E Hyseni akuzat e kësaj partie ka thënë se po bëhen nga inati dhe xhelozia. Ai e pranoi që ka qenë i dënuar, por tha se ka të bëjë me një rast të vitit 1999 në kohën sa ishte pjesë e një organizate joqeveritare

Vendimin e së premtes të kryeministrit Albin Kurti për emërimin e Agim Hysenit zëvendësministër të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e kanë kritikuar anëtarë të Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës.

Hyseni zuri vendin e Resul Makreshit, i cili u shkarkua po atë ditë.

Në komunikatën e PDAK-së thuhet se zëvendësministri Hyseni në të kaluarën ka keqpërdorur fonde.

“Emërimi i Agim Hysenit zëvendësministër, në përfundim të mandatit dhe në kohë fushate e shohim si veprim të ulët dhe skandaloz, duke avancuar në pozita qeveritare njerëz të pashkolluar, të korruptuar dhe me skandale”, thuhet në reagimin e PDAK-së.

E Hyseni pranoi që është dënuar nga gjykata. Mirëpo tha se ka të bëjë me punën e tij në një organizatë joqeveritare në vitin 1999, por nuk dha më shumë informata.

“Janë akuza të pabaza, që absolutisht nuk janë në ngjarje. Atë reagim e kanë bërë nga inati dhe xhelozia. Kjo lëndë ka qenë në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2012”, ka thënë Hyseni.

Për këtë çështje është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti.

Ka thënë se emërimi i Hysenit është pjesë e marrëveshjes së koalicionit.

“Me partinë e cila i përfaqëson ashkalinjtë në Kuvendin e Republikës dhe Qeverinë tonë unë jam në koalicion. Prandaj, zëvendësministri nga radhët e tyre është si emër i veçantë pjesë e marrëveshjes sonë të koalicionit. Tash ne ende nuk kemi arritur ta shqyrtojmë çfarë thuhet për zëvendësministrin e ri, por kur ta bëjmë këtë do ta marrim vendimin apo veprimin adekuat”, ka thënë Kurti.

Ish-zëvendësministri Makreshi është anëtar i PDAK-së, ndërsa zëvendësministri i sapoemëruar Murseli vjen nga radhët e Partisë së Ashkalinjve për Integrim.