Në Bashkimin Evropian ka presion që pasardhësi i Lajçakut të emërohet nga pasardhësi i Josep Borrellit në postin e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Pasi kjo gjë kërkon kohë, Lajçakut do t’i zgjatet mandati deri në emërimin e pasardhësit të tij, në mënyrë që të mos ketë vakum në dialog. Në mesin e emrave të mundshëm për ta pasuar Lajçakun përmenden ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen
Ani se është emëruar ambasador i Bashkimit Evropian (BE) në Zvicër dhe se këtë mandat do ta nisë nga 1 shtatori i sivjetmë, Miroslav Lajçakut mund t’i zgjatet mandati në detyrën e lehtësuesit të dialogut midis Kosovës e Serbisë edhe për një kohë, në mënyrë që të mos ketë zbrazëtirë në këtë funksion, kanë thënë të mërkurën për KOHËN burimet diplomatike në Bruksel.
Burimet kanë konfirmuar se zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut do të duhet që ta presë përfundimin e procedurave të zgjedhjes së udhëheqësve të rinj në institucionet e Bashkimit Evropian, të cilat do ta pasojnë përfundimin e zgjedhjeve evropiane që do të zhvillohen nga e enjtja e 6 qershorit e deri të dielën e 9 qershorit.
Në BE kanë shprehur pritjen që pasardhësi i Lajçakut të emërohet nga pasardhësi i Josep Borrellit në postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. E pasi që kjo kërkon kohë, Lajçakut mandati në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi do t’i zgjatet derisa të emërohet pasardhësi i tij, në mënyrë që të mos ketë vakum.
Në mesin e emrave që përmenden për pasimin e tij janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni, pasi që kanë shërbyer edhe në misionet ndërkombëtare nga Kosova deri në Bosnjë-Hercegovinë. Por në këtë moment, kanë thënë diplomatët evropianë, është herët për të parashikuar se kush do të caktohet në postin e lehtësuesit të dialogut pasi që për këtë duhet të vendosë shefi i ardhshëm i diplomacisë së përbashkët të BE-së, i cili do ta zëvendësojë Borrellin.
Diplomatët në BE kanë vlerësuar se nuk janë të kënaqur me rrjedhën e deritashme të dialogut, porse për dështime ata fajin ua kanë hedhur “palëve” – Kosovës e Serbisë – për shkak se kanë vlerësuar se “nuk kanë dëshmuar gatishmëri dhe sinqeritet që të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e obligimeve nga dialogu”.
Kur Lajçaku u pati emëruar në këtë post para më shumë se katër vjetësh, ai e pati shprehur synimin që “brenda disa muajsh, e jo vjetësh” të arrinte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve. Por në vend të kësaj, procesi i dialogut pati shumë ngecje, janë krijuar shumë kriza dhe në fund është improvizuar një marrëveshje e emërtuar si “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve”. Madje edhe rreth kësaj marrëveshjeje mbeten të hapura dilemat nëse përnjëmend ekziston apo jo.
Pasi Serbia ka refuzuar që ta nënshkruajë, BE-ja pretendoi se ajo, përmes komunikatës publike nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është bërë obliguese për palët.
Obligimet për zbatimin e saj në rastin e Serbisë janë bërë edhe kusht në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Por Serbia disa herë, edhe me deklarata gojore e edhe me letra dërguar BE-së, është shprehur se nuk do t’i zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, e as me anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Serbia nuk do të zbatojë pjesët që për Kosovën janë më të rëndësishmet. BE-ja në anën tjetër ka qortuar Kosovën për refuzimin që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, pasi edhe BE-ja edhe SHBA-ja e quajnë këtë si një obligim të Kosovës.