LAJMET E MBRËMJES

Pas të atit, edhe e bija, Klara, ndalohet nga autoritetet e Serbisë për shkak të homazheve në Prekaz

E bija e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara, është duke u keqtrajtuar nga autoritetet serbe, që kur bëri homazhe te varri i 7-vjeçares së vrarë nga forcat serbe në Prekaz, Blerina Jashari. Klara Sanduloviq u ndalua të hënën në Aeroportin e Beogradit dhe nuk iu lejua të udhëtojë drejt Londrës

Klara Sanduloviq, e bija e politikanit opozitar serb Nikola Sanduloviq, është ndaluar të hënën në Aeroportin e Beogradit, duke iu pamundësuar udhëtimi për në Londër.

Ajo ishte në Prekaz më 27 janar, ku vendosi lule në varrin e Blerina Jasharit, 7-vjeçares së vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1998.

Ajo ndoqi shembullin e babait të saj, Nikola Sanduloviq, që drejton Partinë Republikane të Serbisë, i cili u rrah nga autoritetet serbe javë më parë pasi postoi foto nga qëndrimi i tij në Prekaz.

“Përsëri Aleksandar Vuçiqi bashkë me BIA-n e keqtrajton bijën time. Policia e ndalon në aeroport dhe nuk e lejon ta marrë fluturimin për në Londër. Edhe për sa kohë do ta lejojnë një gjë të tillë BE-ja dhe SHBA-ja?”, vlerësoi ai

Avokati Çedomir Stojkoviq, i cili, po ashtu, ishte në Prekaz për homazhe, ftoi bashkësisë ndërkombëtare që të mos lejojë dhunën e pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë në Serbi.

“Serbia ka histori të gjatë e të pasur të keqtrajtimit në baza politike, por as Milosheviqi nuk i keqtrajtonte fëmijët e politikanëve dhe aktivistëve... Serbia me sa duket tani nuk e ka nën vëzhgim vetëm Sanduloviqin, por edhe fëmijët dhe avokatët e tij. I PËRGJËROHEM bashkësisë ndërkombëtare të përfshihet në këtë rast, sepse është E PAPRANUESHME që në Evropën e shekullit XXI ta kemi një shtet kandidat në BE që i rrah kundërshtarët politikë, i keqtrajton avokatët dhe familjarët e tyre!”, ka shkruar ai.

Në fletarrestimin për Nikola Sanduloviqin thuhet se ai, me homazhet e bëra në Prekaz, ka nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare.

Autoritetet e Serbisë vitin e kaluar ndaluan e maltretuan edhe politikanë serbë të Kosovës, veçanërisht nëpër pika kufitare, përfshirë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, këshilltaren e tij Rada Trajkoviq, si dhe Nikola Radomiroviqin, drejtor i Administratës në Komunën e Leposaviqit.