Pas raportimit të KOHËS lidhur me ndërtimin e kundërligjshëm të vilave në Stankaj të Rugovës nga gratë e krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës e që më pas ua falën nënave të tyre, Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë që të marrë veprimet lidhur me këtë çështje. KOHA ka raportuar se ato janë në mesin e shumë vilave të ndërtuara jashtëligjshëm në këtë fshat, por që ende nuk ka aktakuzë për to
Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës për të marrë veprime lidhur me vilat që gratë e udhëheqësve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës i ndërtuan kundërligjshëm në Stankaj të Rugovës, e më pas ua falën nënave të tyre.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikiqi, ka thënë se autorizimi është bërë menjëherë pas lajmeve të mbrëmjes të së hënës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, pasi ka pranuar informatat nga lajmet qendrore të KTV-së, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme”, ka thënë ai të martën.
KOHA të hënën ka raportuar se si në mesin e shumë vilave të ndërtuara jashtëligjshëm në këtë fshat, janë edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të KGJK-së, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat më 2019 u janë bartur vjehrrave të tyre.
Ato kishin blerë tokën më 2018 dhe kishin ngritur prona në atë pjesë, e cila është pak përtej pronave të Institutit të Bujqësisë, për të cilat janë ngritur mbi 20 aktakuza për ndërtime pa leje dhe tashmë ka aktakuza edhe për uzurpim.
Ani se për disa ndërtime që ndodhen pak metra përtej tyre Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për ndërtime pa leje, ndaj tyre ende nuk ka diçka të tillë.
Nikqi pati thënë një ditë më parë se për çdo person që ka elemente të veprës penale Prokuroria e Pejës do të marrë masa.
“Për këtë çështje ne nuk lëshohemi në persona të veçantë, e hetojmë secilin person në mënyrë profesionale objektive, pa e këqyr anën e tij politike apo profesionale dhe për secilin person që ka rënë ndesh me ligjin është i akuzuar nga prokurori i shtetit dhe janë dërguar në gjykatën kompetente”, ka thënë ai.
Në kohën kur ishin intensifikuar hetimet për ndërtimet pa leje në atë zonë nga Prokuroria e Pejës, këto prona ishin bartur nga bashkëshortet tek vjehrrat e tyre.
Ani se të dy kanë deklaruar bartjen e këtyre pronave te vjehrrat, nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me atë se a janë të pajisura me leje ndërtimi dhe se a i kanë njoftuar ato se ndërtimi i tyre është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
“Bashkëshortja ime pronën në fjalë si pasuri e veçantë e saj pa ndryshuar gjendja e pronës ia ka dhuruar nënës së saj. Prona e blerë nga bashkëshortja ime ka qenë në pronësi private të ish-pronarit me dokumentacion të rregullt, e konfirmuar edhe nga zyra noteriale dhe zyra për regjistrimin e pronave, nga rrjedh se nuk ka qenë me asnjë status të kufizimeve për qarkullim”, thuhet në përgjigjen e Zogajt të hënën.
Ndërsa Ademaj ka thënë se përgjigjet mund të gjenden në formularët e deklarimit të pasurisë.
“Ju njoftoj se përgjigjet do t’i gjeni në formularët e deklarimit të pasurisë të deklaruar ndër vite nga ana ime në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku në të njëjtit formular do gjeni edhe sqarimet lidhur me çdo pasuri të evidentuar në emrin tim dhe bashkëshortes sime, duke përfshirë mënyrën e fitimit, por edhe tjetërsimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Ademajt të hënën.
Ani se atyre iu është ndërruar pronësia, banorët e fshatit Stankaj vazhdojnë t’iu referohen atyre si vila të gjyqtarëve.
Nga Komuna e Pejës thonë se me Planin hapësinor pritet që të rregullohet çështja e ndërtimit.
“Në 10 ari mund të ndërtohet një shtëpi 100 metra katrorë dhe besoj që ka hapësirë dhe ata që i plotësojnë kushtet do të marrin leje, ndërsa ata që nuk i plotësojnë ose që i kanë pasur të ndërtuara duhet të gjejnë një zgjidhje me Ministrinë që ta ndërrojnë ose të fillojnë me rrënime, nuk e di tash se si vjen”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj.
Bjeshkët e Nemuna janë shpallur Park Kombëtar më 2013 dhe tek vitin e kaluar, është miratuar Plani Hapësinor që do të bëjë zonimin ku lejohen ndërtimet.