Me 33 vota për dhe asnjë kundër, asamblistë të pushtetit dhe të opozitës në Kuvendin Komunal të Gjilanit i kanë dhënë miratim buxhetit për vitin 2025, duke e shmangur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kuvendin Komunal. Projektbuxheti është votuar të enjten pas disa përpjekjeve të dështuara që nga shtatori i vitit të shkuar
Pas gjashtë muajsh bllokadë, Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka dhënë miratim me 33 vota për dhe asnjë kundër buxhetit për vitin 2025.
Projektbuxheti është votuar të enjten pas disa përpjekjeve të dështuara që nga shtatori i vitit të shkuar. Miratimit i ka paraprirë debati që është zhvilluar mes asamblistëve të pushtetit dhe atyre të opozitës, e në të cilin janë përfshirë edhe propozimet e këshilltarëve komunalë nga radhët e partive opozitare.
Alban Hyseni, kryetar i Komunës, ka bërë të ditur para asamblistëve se buxheti i sivjetmë i Komunës do të kapë vlerën e 39.897.577 eurosh.
“Totali i buxhetit për vitin 2025, si kufi është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetjake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, ka theksuar ai.
Avdyl Aliu, shef i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike (LDK), ka thënë që partia e tij e mbështet buxhetin me disa projekte shtesë të propozuara, me përjashtim të njërit.
“Është fjala për projektin e bulevardit, bulevardit të qytetit. Është me shkelje ligjore nëse fillon ky projekt. Edhe tash është me shkelje ligjore, pasi është në kundërshtim me planin zhvillimor urban. Është në kundërshtim edhe me planin zhvillimor komunal”, është shprehur ai.
E shefi i grupit të asamblistëve nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Bujar Nevzati, e ka konfirmuar votën e subjektit të tij në mbështetje të buxhetit, porse ka propozuar ndarjen e fondeve për disa projekte.
“Projekti për ndërtimin e qendrës për kujdesin e qenve endacakë. Edhe ky projekt është i financuar për arsye se për çdo ditë fëmijët tanë duhet t’i përcjellim deri te shkolla, sepse kanë problem me qentë endacakë, në vlerë prej 126 mijë eurosh. Te kodi mallra dhe shërbime, propozimi ynë është funksionalizimi i shkollës së agrobiznesit”, ka theksuar Nevzati.
Procesi i votimit të buxhetit pati ngecur që nga shtatori i vitit të shkuar, për shkak të mosmarrëveshjeve midis pushtetit dhe opozitës.
Në rast të mosmiratimit të tij, Gjilani ka rrezikuar që të shkojë në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.