LAJMET E MBRËMJES

Pas dëshmisë së profesorit, Këshilli i Etikës kërkon verifikimin e 27 nënshkrimeve

Për herë të tretë studentët bllokuan daljen e anëtarëve të Këshillit të Etikës nga ndërtesa e Rektoratit të UP-së, me kërkesën që të përjashtohet profesori i denoncuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Këshilli për herë të parë mbajti seancë të hapur dëgjimore për këtë rast.

Për herë të parë Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur seancë të hapur dëgjimore, në të cilën shqyrtoi denoncimin e 27 studenteve për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.

Në seancën, në të cilën  nuk u u lejua incizimi, u intervistuan tre studentë dhe menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe ai i Edukimit.

Këshilli i Etikës kërkoi nga drejtues të Fakultetit të Mjekësisë që t’i verifikojnë nënshkrimet e studenteve, pasi profesori i denoncuar ka deklaruar se nëntë nga nënshkrimet janë të falsifikuara.

E për këtë shprehën pakënaqësi disa nga studentët që prej ditësh protestojnë para Rektoratit, me kërkesën që profesori të përjashtohet.

“Asnjëherë gjatë mbledhjes nuk e kanë potencuar që është ngacmim seksual. E kanë quajtur gjuhë të papërshtatshme. Gjatë mbledhjes që ata janë thirrë me i marr deklaratat e çikave ata kanë thënë që Xhevat Krasniqi po dyshon që nëntë nënshkrime janë të falsifikuara, nuk po ju besojnë çikave”, ka thënë Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore.

Gjatë intervistimit, dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, deklaroi se nuk ka treguar interes të informohet nga profesori i fakultetit që e drejton për denoncimet që e bënë studentet e Mjekësisë. Këtë e arsyetoi pas mbylljes së seancës dëgjimore.

“Krejt ato që kemi janë prej mediave çka po shohim. Po presim ky proces të përmbyllet. Nuk kam çka me pyet se po presim që Këshilli ta përmbyll sa ma parë këtë çështje”, ka thënë Saqipi.

Pas mbylljes së seancës, studentët ua bllokuan daljen për të tretën herë anëtarëve të Këshillit të Etikës, nga të cilët kërkuan të marrin vendim për rastin. Sërish policia ndërhyri, për t’ua mundësuar atyre daljen nga objekti i Rektoratit.

E, Rektorati, nëpërmjet një deklarate, theksoi se Këshilli i Etikës është duke i trajtuar me urgjencë denoncimet për ngacmim seksual.

Në ditën e gjashtë të protestës me kërkesë për përjashtimin e profesorit Krasniqi, aktivistëve iu bashkëngjitën për disa minuta edhe profesoresha e Mjekësisë, Albena Reshitaj, dhe ajo e Filozofikut, Linda Gusia.