LAJMET E MBRËMJES

Partitë i rritën shpenzimet, AAK-ja arsyeton shpenzimin trefish më shumë se të hyrat

Raportet financiare të partive politike, të cilat i ka publikuar të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë shfaqur rritje të shpenzimeve, por edhe të të hyrave. Partia parlamentare me buxhetin më të lartë është Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq me më të ulëtin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por më 2024, AAK-ja ka shpenzuar trefish më shumë sesa ka pasur buxhet dhe për këtë ka dhënë një arsyetim

Partitë politike parlamentare i kanë rritur të hyrat e edhe shpenzimet gjatë vitit të shkuar, kanë treguar raportet financiare që ato i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) është i vetmi subjekt politik që ka shpenzuar gati trefish më shumë sesa që ka pasur buxhet më 2024. Të hyrat e partisë kanë qenë 325 mijë euro, porse ajo ka harxhuar 907 mijë euro. 

Në këtë subjekt, nëpërmjet një njoftimi, i kanë arsyetuar shpenzimet. 

“Për hir të korrektësisë dhe për të sqaruar opinionin publik, sqarojmë se gjatë vitit 2024, AAK-ja ka blerë një objekt të ri në vlerë prej 570 mijë eurosh. Kjo shumë është e paraqitur në raport si shpenzim, si dhe si detyrim për blerjen e objektit, i cili do të shlyhet brenda gjashtë vjetëve të ardhshëm”, është thënë në njoftimin e AAK-së.

Për parafushatë zgjedhore gjatë 2024-tës, AAK-ja i ka deklaruar si shpenzime 4,302 euro.

Nga donacionet, AAK-ja ka marrë 5 mijë euro dhe donatorët më të mëdhenj të saj janë Florim Gashi nga Zvicra, me 2 mijë euro dhe vetë lideri i partisë, Ramush Haradinaj, me 1 mijë euro.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është partia politike me buxhetin më të madh. 

Të hyrat e saj gjatë vitit 2024 janë rritur për 337 mijë euro, duke e çuar totalin në 2 milionë e 337 mijë euro. Nga to, LVV-ja ka shpenzuar 1 milion e 805 mijë apo 421 mijë më shumë se në vitin 2023.

Si shpenzime të parafushatës, LVV-ja ka deklaruar 163 mijë euro.

Nga donacionet, Vetëvendosje ka marrë gati 20 mijë euro e ata që kanë kontribuuar më së shumti janë Glauk Konjufca, Salih Zyba dhe Nuh e Bujar Ilazi me nga 2 mijë euro.

Për vitin e kaluar, buxheti i Partisë Demokratike (PDK) ka qenë 1 milion e 34 mijë euro, nga të cilat subjekti i ka shpenzuar 938 mijë apo 221 mijë më shumë sesa më 2023-tën.

Për parafushatë, PDK-ja ka paraqitur si shpenzime 59 mijë euro.

Nga donatorët, PDK-ja ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë kontribut në të holla. Por i ka deklaruar mbi 29 mijë euro, të cilat persona të ndryshëm i kanë dhënë për zyrat e partisë në të gjithë Kosovën.
E të hyrat e Lidhjes Demokratike (LDK) për vitin e shkuar kanë qenë 643 mijë euro, nga të cilat ajo i ka shpenzuar 594 mijë euro. Shpenzimet më 2024, krahasuar me vitin paraprak, LDK-ja i ka rritur për 162 mijë euro.

50 mijë euro i ka deklaruar si shpenzime për parafushatë, ndërsa nga donacionet ka marrë afër 30 mijë euro. Kontribuuesit më të mëdhenj të LDK-së janë kompanitë “Terra Timberline” dhe “Ad Company”, me nga 10 mijë euro.

Partitë politike pjesën më të madhe të të hyrave që e deklarojnë, e marrin nga buxheti i shtetit.