Është konstituuar të hënën Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës me energjinë elektrike. Në mbledhjen e parë të këtij Komisioni, anëtarët janë dakorduar që të kërkojnë dokumentacionet e nevojshme nga institucionet relevante, për të hartuar pastaj një plan dhe një listë të personave që do të intervistohen. Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, ka paralajmëruar kolegët e tij se i pret një dinamikë e madhe pune
Qasja në gjithë dokumentacionin është kërkesa e parë që e kanë shtruar të hënën deputetë të Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës me energjinë. E kanë bërë këtë në ditën kur është konstituuar kjo trupë e Kuvendit të Kosovës.
Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike (LDK) dhe kryetar i Komisionit, ka thënë se puna e parë që duhet ta bëjnë është që të kërkojnë materialet nga KEK-u, ZRRE-ja, KOSTT-i e Qeveria, e të cilat do t’u duhen për të nisur procesin e hetimit.
“Ideja është që ta kemi një dosje paraprake të gjithë anëtarët e komisionit që kur të vendosim më pas për listën e intervistuesve, të kemi dokumente të mjaftueshme, të gjitha vendimet e qeverisë, vendimet e Kuvendit që i ka marrë për këtë proces, vendimet operative që i kanë marrë institucionet të cilat i përmenda në mënyrë që ta kemi secili nga një dosje”, ka thënë Selmanaj në mbledhjen e parë të Komisionit. “Në takimin e radhës e diskutojmë planin e veprimit. E caktojmë se cilave institucioneve do t'u drejtohemi me pyetje. Me stafin do të shohim se si kanë punuar komisionet e tjera hetimore për aspektin financiar”.
Lidhur me procesin e punës së komisionit, kërkesa kanë pasur edhe anëtarët e Komisionit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se si komision duhet të dakordohen edhe për listën e të intervistuarave.
“Paraprakisht ne duhet që në mbledhjen e radhës, pas procesit të punës, që të miratojmë planin e punës. Mandej në kuadër të planit të punës parashihen afatet. Institucionet të cilat ju i përmendët kanë mundësi të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në bazë të të cilit bëhet vlerësimi dhe janë punë të brendshme të komisionit ku pastaj dakordohemi bashkërisht si komision për listën e të intervistuarve”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se para fillimit të intervistimit, duhet që secili anëtar i Komisionit të ketë dokumentet që lidhen me procesin e hetimit.
“Ne duhet ta kemi një afat që të pajisemi me tërë dokumentacionet, që ta kemi çdo njëri nga anëtarët e këtij komisioni dhe pastaj në mbledhjen e radhës të përcaktojmë se cilat dokumente janë me prioritet, kush duhet të ftohet, sepse nëse ne nuk kemi dokumentacionet dhe nëse nuk i sigurojmë dokumentacionet që janë të vlefshme për t’i hetuar, unë mendoj që as me këtë komision nuk kemi bërë asgjë”, ka thënë Lekaj.
Komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike, i kërkuar nga opozita, është themeluar më 5 maj, pas një bojkoti disajavor opozitar, si reagim ndaj bllokadës që partitë në pushtet kishin bërë për ta formuar atë.
Themelimi i tij është bërë pas pajtimit në mes të pushtetit dhe opozitës që të themelohen dy komisione: njëri sipas kërkesës së opozitës për hetimin e menaxhimit të krizës në muajve të fundit, e tjetri me kërkesë të pushtetit për çështjet që lidhen me energjinë që nga viti 2006.