Qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj te Teatri Kombëtar, në shenjë kujtimi dhe mbështetjeje për familjen e Liridona Ademajt. Organizatorja Liridona Shabani, i ka cilësuar si të frikshme lajmet si rasti për vrasjen e Lirdona Ademaj. E qytetarët kanë kërkuar dënim maksimal për personat e përfshirë në këtë rast.
Këta qirinj janë ndezur në shenjë kujtimi për Liridona Ademaj, e cila u vra mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë.
Kjo ngjarje e organizuar nga gratë për Vetëvendosje në Prishtinë, u bë në shenjë mbështetjeje për familjarët e Liridonës.
E organizatorja Liridona Shabani, i ka cilësuar si stresuese dhe të frikshme ngjarjet e tilla.
“Qëllimi i kësaj iniciative ka qene të bashkëndiejmë me familjarët e Liridona Ademaj, e që ka qenë një lajm që na ka trondite neve si shoqëri. Ka qenë një lajm I pabesueshëm për secilën grua, e qe nesër mundemi me qene edhe ne viktima te ardhshme e qe është goxha stresuese dhe goxha e frikshme, momentin kur e kemi marrë lajmin për Liridona Ademajn. Dhe është më e pakta që mundemi me bere, për shpirtin e saj të ndjerë dhe për familjarët e sidomos për fëmijët”, tha Shabani.
Qytetarët kërkuan dënim maksimal për personat e përfshirë në rastin e Liridonës.
S’kom fjalë, kisha kërku që këta kriminel me vrasje me i dënu, jo me i shpëtu si lejohen fëmijët, dy fëmijë dy qengja, dy pëllumba me jetu tash pa nënë, të vegjël. S’kom fjalë, prejse kam ndëgju syt smu kanë terë kurrë, se kemi fëmijë edhe ne, e dimë çka do të thotë të i lëmë fëmijët nëpër botë, ku mbesin ata, pa nënë, babën mos me numëru hiç që është babë ai, ai s’është babë”, tha një qytetare.
Një qytetar kërkoi që kryesit të dënohen.
“Duhet të gjithë ata bashkëpunëtore, që kanë marrë pjesë në vrasje se edhe ata janë fajtorë, të dënohen edhe ata me dënime kapitale, nuk ka falje për këto raste nuk ka mëshirë, sepse është e dhimbshme, nuk po di me u shpreh me naj fjalorë të rëndë, por le të vepron ligji dhe e drejta le të vendoset. Lutemi që të mos ndodhe më asnjë rast I kësaj natyre as dhune ndaj femrës, i kemi nana i kemi motra”, tha ai.
Në shenjë kujtimi për Liridonën, qirinj janë ndezur edhe nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Ferizajt, por edhe në Suedi në kafenenë në të cilën punonte tashmë e ndjera.
Ndërsa të martën, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë gjithë popullore për ta kundërshtuar dhunën ndaj vajzave dhe grave dhe femicidit.