Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë pas takimit të së enjtes se pala serbe nuk ka dalë me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”. Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se Beogradi zyrtar ka “bërë gjithçka për të gjetur një zgjidhje” për çështjen e dinarit, porse “Prishtina ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”. E emisari evropian Lajçak ka njoftuar se palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje javën e ardhshme, “bazuar në propozimet konkrete”
Është përmbyllur pa marrëveshje takimi i katërt midis kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit është ndaluar me anë të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për valuta, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës, ka thënë pas takimit të së enjtes se pala serbe nuk ka dalë me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.
“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, ka theksuar Bislimi.
Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë, ka thënë se Beogradi zyrtar ka “bërë gjithçka për të gjetur një zgjidhje” për çështjen e dinarit.
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçaku, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, ka thënë Petkoviqi, pa sqaruar se çfarë përmban propozimi i tij. “Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”.
E emisari evropian Lajçak ka njoftuar në platformën X se palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje javën e ardhshme, “bazuar në propozimet konkrete”. Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe me Petkoviqin, përderisa, për dallim nga tri rundet e mëparshme, të enjten nuk është mbajtur edhe takim trepalësh.
Takimi i ri
Takimi i së enjtes ka qenë i katërti i zhvilluar kokëve të fundit mes Bislimit e Petkoviqit, teksa ka qenë i pesti në përgjithësi që është mbajtur në Bruksel lidhur me çështjen e dinarit. Që të gjitha kanë përfunduar pa ndonjë përparim.
Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviqi ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një rund tjetër bisedimesh. E Bislimi ka theksuar se palës kosovare i është thënë nga Brukseli zyrtar që “ky takim të jetë i fundit”. Ai ka shtuar se “duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, ne kemi insistuar që takimi të organizohet vetëm nëse palët dërgojnë propozimet e tyre deri të hënën dhe nëse Lajçaku konstaton se propozimet janë në linjë me idenë e tij”.
Lajçaku pati thënë ditë më parë se në takimin e së enjtes synohej të gjendej “një zgjidhje e përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i BQK-së, i cili e përcaktoi euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.
Rundi i kaluar i bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Bislimit e Petkoviqit, lidhur me dinarin, është zhvilluar më 4 prill, pas së cilit Bislimi pati deklaruar se palët ende kanë “dallime të mëdha” e Petkoviqi se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje.
Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura prej tyre për dinarin. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, pasi mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës. E Petkoviqi e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.
Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja e saj ka nxitur zemërim në Serbi, e cila nëpërmjet buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Takimi i së enjtes në Bruksel është mbajtur një ditë pasi tensionet mes dy shteteve u rritën sërish, teksa Kosova e akuzoi Serbinë se i bllokoi në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë autobusët me udhëtarë nga Kosova dhe i ndaloi disa zyrtarë policorë – shqiptarë e serbë – në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bllokimi i qytetarëve në territorin serb është bërë për shkak të votës pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës (KiE), organizatë kjo në të cilën Kosova synon që të anëtarësohet.