Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin e Kosovës, ka vlerësuar presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast. Ajo ka shprehur synimin për thellim bashkëpunimi gjatë administratës Trump. Por, është emisari Richard Grenell ai që edhe një herë është marrë me kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ta thellojnë bashkëpunimin gjatë administratës së presidentit të ri amerikan Donald Trump.
Këtë e deklaroi në njoftimin për takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Brian Mast.
“Diskutuam për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara – një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri. Me administratën e presidentit Trump synojmë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë!”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ndodhet në SHBA, si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, ngjarje që ka traditë gjashtëdekadëshe.
E, përderisa ajo ka shprehur synimin për thellim bashkëpunimi me administratën e re amerikane, Richard Grenell, të cilin presidenti Trump e ka emëruar emisar për Misione të Posaçme të SHBA-së, e ka quajtur delirant kryeministrin Albin Kurti, i cili synon ta drejtojë qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm.
Media ndërkombëtare, si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, raportoi një ditë më parë se Grenell, nëpërmjet deklaratave kundër Kurtit, po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë.
E, Kurti akuzoi opozitën për këtë.
“Në vend që t’i mirëpërdorin SHBA-në kundër Serbisë, këta këqyrin me gjete atje ndonjë zyrtar kundër kryeministrit tuaj”, tha ai në një tubim.
Në mandatin e parë të presidentit Trump, Grenell ishte emisar për dialogun Kosovë-Serbi. Ai u pa si shkaktar që shtyu LDK-në t’i largohej Vetëvendosjes nga koalicioni dhe ta shkarkonte Kurtin, nëpërmjet mocionit të mosbesimit, që e votuan edhe subjektet që atëkohë ishin në opozitë.