Sllovenia e Shqipëria kanë premtuar mbështetje për Kosovën në rrugën e saj të nisur drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe në institucionet të tjera euroatlantike. Përkrahjen nga këto dy shtete e mori presidentja Vjosa Osmani, pas takimeve që zhvilloi me presidentët e tyre.
Presidentja Vjosa Osmani është shpresëplotë se Kosova do të kalojë me sukses votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të zhvillohet të martën.
Në dy takimet që ka mbajtur, anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës ka qenë në mesin e temave të diskutuara.
Osmani fillimisht takoi homologen e saj nga Sllovenia, Natasa Pirc Musar. Pas takimit tha se beson që Kosova do të ketë përkrahjen e shtetit slloven, në gjithë rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik.
“Organizata në të cilën që do të votohet shumë shpejt është Këshilli i Evropës. Kjo për ne gjithmonë ka qenë kauzë për të drejtat e njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie, pa dallim gjuhe apo background tjetër. Prandaj vota e nesërme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në qoftë se ajo është e suksesshme, me shpresën që po, pastaj vota në Komitetin e Ministrave janë vota pro të drejtave të njeriut”, tha Osmani.
Përkrahjen për Kosovën e premtoi presidentja e Sllovenisë. Mes tjerash, ajo u shpreh e bindur se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një gjuhë të përbashkët në të mirë të qytetarëve të tyre.
“E dini që e keni mbështetjen e plotë e Sllovenisë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare. Ky integrim, Këshilli i Evropës, është i mirë për njerëzit në fund, sepse do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo është për shqiptarët në Kosovë e serbët në Kosovë”, deklaroi ajo.
Pas presidentes Musar, Osmani takoi edhe Bajram Begajn e Shqipërisë.
Tha se deputetët nga Kosova e Shqipëria janë duke lobuar në drejtim të sigurimit të votave të mjaftueshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Angazhimin drejt sigurimit të njohjeve të reja e anëtarësimin në organizata ndërkombëtare presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se e kanë për detyrë.
“Shqipëria e ka për detyrë dhe do të bëjë gjithnjë këtë detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe këtë duhet ta bëjë në çdo kohë. Jam shumë me shpresëplotë se nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës dhe kjo do të na japë akoma më shumë frymëzim për të bërë punë më të mira në të ardhshmen”, theksoi Begaj.
Krahas Musar e Bajramit, Osmani ka takuar edhe kryeministrin Talat Xhaferi, kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla e ministren për Çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, Sofia Zacharaki.