Dialogu me Serbinë ishte temë diskutimi në takimin që presidentja Vjosa Osmani pati të shtunën me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Osmani tha se Serbia është duke i vazhduar obstruksionet për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit. E nga Abazoviqi, presidentja ka marrë konfirmimin se Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare
Dialogu me Serbinë dhe marrëveshja e arritur në Bruksel kanë qenë dy nga disa temat që janë diskutuar të shtunën në Prishtinë në takimin midis presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Abazoviq ndodhet prej dy ditësh në vizitë zyrtare në Kosovë dhe pas takimit me të, presidentja Osmani ka shprehur vërejtjen se Serbia po vazhdon obstruksionet në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën, e cila, siç ka theksuar ajo, të dyja vendet e përfshira dialog i trajton si palë të barabarta.
“Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshja e Brukselit trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatën e Presidencës, të lëshuar pas takimit.
Në të theksohet se presidentja Osmani ka marrë konfirmimin nga Abazoviqi për mbështetjen e Malit të Zi në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, është bërë e ditur se në takim është diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
“Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq”, thuhet tutje në komunikatë.
Mbështetjen në procesin e integrimeve evropiane, Abazoviqi e shprehu edhe gjatë takimit me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi.
Ai ka thënë se përqendrimi i të gjithëve për zhvillimin rajonal duhet të jetë kah e ardhmja, e jo nga e kaluara.
“Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë. E vetmja gjë që mund ta ndryshojmë është e ardhmja. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballemi me disa fakte të së shkuarës, se nuk duhet të përballemi me të vërtetën, porse, sidoqoftë, duhet të përqendrohemi sesi t’i përmirësojmë gabimet e periudhës së shkuar dhe sesi, bashkërisht, të krijojmë një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e rajonit, veçmas për Malin e Zi dhe Kosovën”, ka theksuar Abazoviq.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi të shtunën është pritur në takim edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Vizitën në Kosovë, Abazoviq e ka përmbyllur me Pejën. Në takimin me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri, është diskutuar për dinamizmin e zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë.