Presidentja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se shteti që udhëheq është i kërcënuar nga marrëveshja ushtarake që kanë arritur Kosova, Shqipëria dhe Kroacia. Por, Osmani e cilësoi Serbinë si shtet agresor dhe tha se me të pavërtetat për marrëveshjen, synon të viktimizohet.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor që përbën kërcënim për rajonin.
E ka theksuar këtë, pasi homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, alarmoi se shteti që udhëheq është i kërcënuar nga marrëveshja ushtarake që kanë arritur Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.
Presidentja Osmani insistoi se marrëveshja e synon të kundërtën.
“Marrëveshja trilaterale midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë që t’i ndihmojmë njëra tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes. Pra, për ta mbrojtur vetën dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të njëjtën kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe parimit të fqinjësisë së mirë, në të drejtën ndërkombëtare, por po ashtu në praktikën e NATO-s.”
Presidentja Osmani tha se është praktikë që ndodh tërë kohën brenda shteteve të NATO-s që firmosin marrëveshje mbi bazën e vlerave të njëjta që ndajnë. Ajo insistoi se Serbia ka përhapur propagandë, pas firmosjes së dokumentit ndërmjet tri shteteve.
“Serbia si shtet që nuk beson në ato vlera, por që i sulmon vazhdimisht, del me propagandë se kinse qenka shkelur një marrëveshje e vitit 1996. Por, kushdo që e lexon atë marrëveshje, e vëren një gjë, që Serbia po e bënë të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta. Ekziston veç një burim destabiliteti në rajon, e ajo është Serbia”, tha Osmani.
Presidentja Osmani theksoi se historikisht shtetet agresore, siç tha se janë Serbia dhe Rusia, vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima.
“Nëse i shini deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori sulmesh, pushtimesh, histori gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtete agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse dikush po i sulmon ata. Në historinë e ekzistimit tonë, ne nuk e kemi sulmuar kurrë askënd... Në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova në veçanti gjithmonë e kanë mbrojtur vetën”, tha Osmani.
Kosova dhe dy shtete anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këtë javë marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Ministrat e mbrojtjes që hodhën firmën mbi dokument, thanë se do të rritet ndërveprueshmëra e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.