LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Pajaziti me bashkëluftëtarët Zejnullahu e Hoxha u bënë lajmëtarë të lirisë

Me rastin e 28-vjetorit të rënies së dëshmorëve Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha, liderë institucionalë dhe ata partiakë kanë bërë homazhe të premten para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë. Prej aty, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me guximin që e kanë treguar, të tre dëshmorët janë bërë lajmëtarët e lirisë së Kosovës

Në 28-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, liderë shtetërorë dhe ata partiakë të premten kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te shtatorja e Zahir Pajazitit në sheshin e Prishtinës, i cili e mban emrin e tij.

Pas homazheve, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ideali, për të cilin kanë luftuar tre dëshmorët e UÇK-së, duhet të mbrohet dhe të mirëmbahet.

“Kujtojmë sakrificën e jashtëzakonshme, trimërinë dhe guximin e heroit të Kosovës Zahir Pajaziti, i cili me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha u bënë lajmëtarët e lirisë sonë. Të cilët jo vetëm që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por në të njëjtën kohë inspiruan edhe breza të tërë të UÇK-së që t’i bashkohen luftës sonë çlirimtare”, ka thënë ajo.

Për ta nderuar veprën e Pajazitit, një minutë heshtje para shtatores së tij ka mbajtur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në homazhe ka qenë i shoqëruar nga pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeverisës.

Homazhe para shtatores së Pajazitit ka bërë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me disa zyrtarë komunalë.

Rama më pas i ka pritur në zyrë familjarë të tre dëshmorëve, të cilëve u ka ndarë edhe mirënjohje.

Këto mirënjohje Bajram Pajaziti, vëlla i Zahir Pajazitit, i ka quajtur vlerësim dhe respekt për të gjithë dëshmorët e rënë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Kjo është një mirënjohje jashtëzakonisht e madhe për ne familjarët, por edhe respekt i madh edhe për ata që kanë derdhur gjak, jo vetëm për Zahirin, Hakifin dhe Edmondin por për të gjithë dëshmorët e kombit”, ka thënë ai.  

Më 31 janar të vitit 1997, Pajaziti bashkë me Zejnullahun dhe Hoxhën kanë rënë në pritë nga forcat serbe, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë. Në 11-vjetorin e rënies, Pajaziti është shpallur “Hero i Kosovës” nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.