LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e Kosovës

Në adresimin vjetor para deputetëve, presidentja Vjosa Osmani shtroi disa kërkesa, por pati edhe shumë kritika. Për skenën e brendshme politike, gjatë fjalimit, tha se nuk bën të luhet bixhoz me raportet me partnerët, teksa Bashkimin Evropian e kritikoi për anshmëri në dialog. Fjalimin e saj e bojkotuan deputetët e PDK-së e AAK-së, me arsyetimin se Osmani si presidente nuk e luajti rolin që i përket

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar më shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët.

Në adresimin e saj vjetor në Kuvend, të enjten, teksa ka folur për partnerët e Kosovës, ka thënë se nuk bën që me këtë raport të luhet bixhoz.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetëmbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet, as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët”, ka thënë ajo. 

Fjalimin e saj e dëgjuan deputetë të pushtetit e anëtarë të kabinetit qeveritar. Nga opozita, ishin vetëm ligjvënësit nga radhët e LDK-së. Ata të PDK-së e AAK-së e kanë arsyetuar mungesën me atë se presidentja nuk ka luajtur rol që i përket - unifikues.

Osmani në fjalimin e saj ka prekur shumë tema, e për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka kërkuar që të diskutohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA-në që kjo të mos i lihet në dorë Lajçakut e të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit. Por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetes dhe SHBA-së sesa disa burokratëve nga shtete mosnjohëse”, ka thënë ajo.

Ajo ka sqaruar edhe deklaratën e disa ditëve më parë për zbatimin e njëanshëm nga Kosova të marrëveshjes së Brukselit, me garanci nga ndërkombëtarët.

“Ajo çfarë kam thënë është që nën një, zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe nën dy, si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes - gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan - atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës”.

Bashkimin Evropian e ka kritikuar për qasje të pabalancuar në dialog, për çka ka kërkuar që të ketë reflektim nëse kërkohet paqe e qëndrueshme në rajon. 

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka qenë komplet i pabalancuar me një trajtim të padrejtë të Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot Serbia nuk është nën masa kurse viktima e agresionit, Kosova, është nën masa është dëshmia e kësaj mungese balance. E domosdoshme të ketë reflektim ndaj kësaj qasjeje nga ata që duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani. 

Ka folur edhe për Serbinë, të cilën e ka kritikuar për rastin e sulmit në Banjskë, shtatorin e vitit të kaluar kur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë. Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve të rajonit për paqe e stabilitet të qëndrueshëm”, ka thënë ajo.

Osmani ka folur edhe për veten, duke e lavdëruar punën që ka bërë prej kur është zgjedhur presidente. 

“Kam punuar në thellimin e aleancave dhe partneriteteve të afërta dhe të largëta, jam angazhuar që Kosova të jetë shembulli pozitiv kur demokracitë qëndrojnë të bashkuara. Kam punuar në forcimin e shtetësisë sonë, paqes dhe stabilitetit dhe për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë jemi ftuar në samite dhe organizata ku Kosova nuk është fare anëtare, siç ishte samiti i NATO-s dhe organizime të tjera ndërkombëtare ku u dëshmua se madhësia e një shteti nuk definohet nga territori dhe populli, por nga rrëfimi, shembulli që japim dhe vlerat që mbrojmë. Politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimin dhe veprimet dashakeqëse të Serbisë në atë se çfarë përfaqëson dhe çka është në të vërtetë Kosova. Kosova e lirë, sovrane dhe demokratike është realitet i pakthyeshëm”, ka thënë ajo.

Sipas saj, asnjë president që kur u shpall pavarësia nuk i ka pasur dyert më të hapura në botë sesa ajo.