Ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee, gjatë qëndrimit në Kosovë ka thënë se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër, është mënyra më e mirë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik. Kryeministri Kurti ka thënë se deri tash, rreth 1 miliard euro është ndihmuar Kosova nga USAID-i, ndërkaq presidentja Osmani ka kërkuar mbështetje në luftën kundër dhunës mbi baza gjinore
Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër, është mënyra më e mirë për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve, ka thënë ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee.
McKee gjatë takimit që pati të hënën me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se USAID-i do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në zhvillimin e një gjyqësori të paanshëm.
“Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër, është mënyra më e mirë që do t’i ndihmojë Kosovës t’i përmirësojë raportet e saj me vendet fqinje dhe në këtë mënyrë, rrjedhimisht edhe të zërë vendin e vet në mesin e vendeve të tjera në kuadër të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Pra, ne do të jemi këtu për të gjitha vendet e rajonit, për Kosovë, edhe për Serbi, që të krijojmë një mjedis që të rinjtë nuk do ta shohin të ardhmen jashtë atdheut të tyre, por të rrinë në vendin e tyre, të ndërtojnë biznese e familje”, ka thënë McKee.
Ndërkaq, presidentja Osmani ka theksuar se nga McKee ka kërkuar mbështetje më të madhe në përpjekjet për eliminimin e dhunës në baza gjinore. Ajo ka theksuar se USAID-i ka qenë një forcë shtytëse dhe katalizator i ndryshimeve pozitive në Kosovë, e në veçanti në tri fronte të rëndësishme, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me punën e saj si presidente e Republikës.
“E para është demokracia, pra zhvillimi i mëtejmë i demokracisë në vendin tonë; fusha e dytë është sundimi i ligjit, një fushë e rëndësishme që ne e shohim si parakusht për zhvillim në çdo fushë tjetër; dhe e treta është, të drejtat e njeriut”, ka thënë presidentja Osmani. “Kërkova mbështetje për përpjekjet tona për eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, dhe natyrisht që jam shumë e lumtur që mora përgjigjen pozitive nga ana e USAID-it për përkrahje në këtë drejtim për ta luftuar këtë dukuri, e cila për fat të keq është shndërruar në pandemi anë e kënd globit”.
Ndihmësambasadorja e USAID-it gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri ka thënë se ndihma e USAID-it për Kosovën deri më tani kap vlerën e mbi 1 miliardë dollarë.
“Fushëveprimi i kësaj agjencie është shumë sektorial. Aty përfshihen fushat si drejtësia, ekonomia, demokracia, energjia e qeverisja. Në të gjitha këto fusha vendi ynë ka shënuar përparim këto diç më pak se 21 muaj të qeverisjes sonë. Rritja, përmirësimi dhe zhvillimi janë dëshmi për partneritet të fuqishëm me miq tanë, por janë edhe ftesë për më tepër bashkëpunim”, ka thënë kryeministri Kurti. “Me SHBA-në ndajmë vlera, orientime e interesa të përbashkëta. Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi e demokraci. Tek USAID-i gjejmë edhe SHBA-në si shtet edhe popullin mik amerikan. Le t’i zgjerojmë lidhjet e thellojmë bashkëpunimin në shërbim të dy vendeve, dy popujve tanë, mbi bazën e vlerave e bindjeve që ndajmë”.
Në takim me Kurtin, McKee theksoi se USAID-i, Kosovën do ta ndihmojë edhe në aspektin e furnizimit të qëndrueshëm me energji e zhvillim ekonomik.