LAJMET E MBRËMJES

Osmani inkurajon institucionet për bashkëpunim me aleatët për çështjen e dinarit

Në shënimin e Ditës së Presidentit të Amerikës në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga institucionet që të bashkëpunojnë me SHBA-në lidhur me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit. Ajo ka folur për raportet me këtë aleat, duke thënë se miqësia mes dy vendeve është një testament i rrënjosur thellë. E ambasadori amerikan, Jeffery Hovenier, ka thënë se lidhjet e SHBA-së me popullin e Kosovës janë që nga presidenti Bill Clinton

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga institucionet që të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Osmani ka bërë thirrje që plani i transicionit për zbatimin e Rregullores që ka të bëjë me qarkullimin e parasë së gatshme të ketë pajtimin edhe të ndërkombëtarëve. Ajo theksoi se janë duke vazhduar diskutimet për një plan transicioni sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Për kritikat e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sa i përket Rregullores së BQK-së, Osmani tha se aleatët nuk po kërkojnë që të mbahet dinari, porse të bëhet një plan zbatimi për çfarë kërkoi nga institucionet të bashkëpunojnë sa më shumë me SHBA-në.

“Çështja nuk është te dinari, SHBA-ja dhe as aleatët tanë të tjerë nuk po kërkojnë që ne ta mbajmë dinarin, dhe nuk do duhej të krijohej një përshtypje që dikush po kërkon prej nesh që mos ta respektojmë Kushtetutën tonë, sepse nuk është e vërtetë. Pra, kemi një mirëkuptim të plotë, dhe qëllim të përbashkët me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, që Kushtetuta jonë të respektohet në plotni. E tëra që është duke u diskutuar është një plan transicioni për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Pra, që s’ka të bëjë me punën e BQK-së”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Rregullorja mbetet ajo që është, askush nuk po kërkon që ajo të ndryshojë, e cila bie në domenin e BQK-së.

“Institucionet që e zbatojnë atë, institucionet ligjzbatuese, sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë plan të zbatimit. Edhe në këtë rast janë ende duke vazhduar diskutimet, secili do të jetë një plan transicionin i zbatimit i cili do t’i marrë parasysh shqetësimet e të gjithëve”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se si presidente e vendit vazhdimisht ka inkurajuar të gjitha institucionet që bashkëpunimin me aleatët ta kenë në maksimum.

“Sikurse edhe çdoherë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugë të gabuar. Kështu, si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani. Jam e bindur që jemi në rrugë të drejtë që shumë shpejt ky plan transicioni të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektivë në tërësi, por bashkë edhe me aleatët tanë në zbatimin e plotë të Kushtetutës sonë në çdo cep të vendit”, ka theksuar ajo.

Ditë më parë, ambasadori i SHBA-së, Jeffery Hovenier, ka deklaruar se çështja e dinarit ka dëmtuar raportet me Qeverinë e Kosovës, duke demantuar edhe deklaratat e kryeministrit Kurti për marrëdhënie të mira.

E në Ditën e Pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka folur për raportet mes dy vendeve, duke thënë se miqësia është një testament i rrënjosur thellë.

“Mbështetja e presidentit Biden është një dëshmi e vërtetë e lidhjeve të thella të miqësisë që kanë përcaktuar prej kohësh partneritetin tonë. Ai jo vetëm që i kupton aspiratat tona për liri dhe demokraci, ai qëndron krah për krah me ne në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të forcuar këto ideale”, ka thënë ajo.

Ambasadori amerikan, Jeffery Hovenier, ka thënë se lidhjet e SHBA-së me popullin e Kosovës janë që nga presidenti Clinton.

“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e presidentit Clinton”, ka thënë ai.

Kohëve të fundit Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në shkaku i refuzimit të kërkesës për shtyrje të zbatimit të Rregullores së BQK-së, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos euros që të përdoret si mjet pagese.