LAJMET E MBRËMJES

Osmani i kërkon BE-së heqjen e masave e Britanisë mbështetje në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Vjosa Osmani ka shtruar një numër kërkesash në takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të shteteve të Perëndimit. Liderëve të vendeve anëtare të BE-së u ka kërkuar heqjen e masave, ndërkaq kryeministrit britanik mbështetje në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që Kosovës t’i hiqen masat e vendosura një vit më parë, në shenjë presioni ndaj Qeverisë për shtrirjen e autoritetit kushtetues e ligjor në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që është mbajtur në Budapest, kërkesën ua ka shtruar kryeministrit të ri të Estonisë, Kristen Michal, si dhe kryeministres së Letonisë, Evika Siliņa.
“Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE”, ka njoftuar ajo në Facebook.

Presidentja Osmani ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin britanik, me të cilin ka folur edhe për çështje të sigurisë.

“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe marrëveshja e arritur së fundmi mes dy vendeve tona në fushën e emigracionit ishin në fokus të diskutimit me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer”, ka thënë Osmani.

Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kanë qenë në fokus edhe të takimit të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, me homologun e saj lituan, Gabrielius Landsbergis, që është zhvilluar në Vilnius. Në të është shtruar nevoja që të kontribuohet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Në qendër të takimit ishin sfidat e përbashkëta të sigurisë, kërcënimet në rritje për vendet demokratike në rajon dhe Evropë, si dhe bashkëpunimi ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Lituanisë. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme.

Autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kanë alarmuar për ndikimin e Rusisë në rajon. Sipas zyrtarëve shtetërorë, Serbia, që është aleate kryesore e Rusisë, përbën kërcënim për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.